Shqipëria si fuqi ekologjike
Dr. Islam Lauka/Pas “transparencës” së Kryeministrit Rama, lidhur me lejet për ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë, të njëjtën gjë bëri, këto ditë, edhe ish – Kryeministri Berisha. Në profilin e portalit “Drejtësi në Tropojë”, më 01.11.2016, është botuar përgjigja e plotë e tij ndaj pyetjes së këtij portali për HEC-et në Luginën e Valbonën. Që në fillim, bie në sy, se ka mospërputhje të madhe midis numrit të lejeve që “zbulon” Rama dhe atyre që “pranon” Berisha. Kryeministri aktual flet për 11 hidrocentrale të miratuara nga qeveria e mëparshme, ndërsa ish – Kryeministri Berisha shkruan se bëhet fjalë vetëm për 6 HEC-e, 4 prej tyre në Parkun Kombëtar të Valbonës, ndërsa dy jashtë tij.
Le të mbetet në ndërgjegjen e tyre, se kush e thotë të vërtetën dhe kush e fsheh atë. Ajo që duhet përshëndetur është se edhe Berisha, më së fundi, e bëri atë që është kërkuar tash e 8 muaj me radhë – transparencën, qoftë edhe kështu, të cunguar, me paqartësi dhe pasaktësi. Meqënëse “mëkatet” e transparencës së Ramës janë trajtuar pak ditë më parë, ky shkrim merret me “gjynahet” e transparencës së Berishës.
Së pari, Berisha pohon se projektet e miratuara nga qeveria e tij kanë të gjitha lejet dhe dokumentet mjedisore, në përputhje me ligjin. Pavarësisht mundësive të kufizuara, për t’u njohur me dokumentacionin e lejeve, atë që kemi arritur të shohim, sidomos, Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM), për kaskadën e Dragobisë, dëshmojnë për mungesë të theksuar përgjegjësie shtetërore dhe nivel tepër të ulët profesional. Sipas mendimit të një numri ekspertësh të pavarur, në të mungon plotësisht analiza ndërdisiplinore, analiza e përbërësve ekologjikë, floristikë dhe faunistikë. Ndër “arritjet” e tij është “zbulimi” i çakallit në Luginën e Valbonës. Raporti injoron plotësisht pasojat negative që mund të sjellë ndërtimi i hidrocentraleve në mjedisin natyror dhe në jetën e banorëve të zonës. Hidrocentralet futen në kategorinë e projekteve që duhet, medoemos, t’i nënshtrohen një procesi të thelluar të VNM-së. Veç kësaj, kërkohet edhe Vlerësim Strategjik Mjedisor. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një zonë të tillë të ndjeshme si Valbona, e cila përbën, jo vetëm një qendër biodiversiteti me shkallë të lartë endemizmi, por edhe sherben si biokorridor që lidh me njëra tjetrën bioqendrat e tjera si Jezerca, Maja e Hekurave, Çeremi, etj. Materiali i paraqitur për kaskadën e Dragobisë, që pretendon të jetë raport mbi ndikimin e hidrocentraleve në mjedisin e zonës, nuk është fare raport, le më të jetë i thelluar.
Ky fakt të bën të mendosh se proçedura e miratimit të lejeve ka patur shkelje ligjore serioze. Sepse nuk mund të quhet e ligjshme një leje që mbështetet mbi VNM fiktiv, korruptiv dhe abuziv. Nuk mund të quhet e ligjshme një leje, kur dëgjesat publike janë manipuluar dhe falsifikuar. Deri tani, të paktën, dy vetë kanë deklaruar publikisht se, pavarësisht që firmat e tyre figurojnë në procesverbalet e të ashtuquajturave dëgjesa publike, ata nuk kanë qenë të pranishëm në to, por dikush tjetër i ka falsifikuar firmat e tyre. Ne fshatin Dragobi kemi rastin e dytë, pas Krishtit, të ringjalljes, kur një banor i tij, tre vjet pasi kishte vdekur, ngrihet nga varri për të vënë firmën e tij në favor të ndërtimit të hidrocentraleve. 19 “firmëtarët” e tjere të këtij fshati, ose janë të moshuar që e kanë të vështire të orientohen në çështjet e mjedisit, ose të punësuar nga firma konçesionare, pra në konflikt të hapur interesi. Për çfarë ligjshmërie mund të flitet këtu? Së dyti, Berisha përpiqet të “argumentojë” se, pavarësisht që Lugina e Valbonës është zonë e mbrojtur, ligjërisht, edhe aty mund të ndërtohen hidrocentrale, siç thotë ai, duke respektuar disa kushte për mjedisin.
Nëse shikohet me kujdes legjislacioni ynë në fuqi, në parqet kombëtare nuk mund të ndërtohen hidrocentrale. Me Ligjin për Zonat e Mbrojtura ndalohet ndërtimi i linjave të tensionit të lartë në territorin e tyre; ndalohet ndërtimi i rrugëve, si dhe lëvizja e mjeteve të transportit, jashtë rrugëve të caktuara; nuk lejohet as nxjerrja e gurëve, me përjashtim të rasteve kur ata përdoren për mirëmbajtjen e zonave të mbrojtura. Si mund të flitet për ndërtim hidrocentralesh në këto kushte? Vetëm në rast se injorohet fakti që Valbona njihet si Park Kombëtar, që në vitin 1996, siç vepron VNM, mbi të cilin janë bazuar lejet mjedisore, vetëm atëhere, mund të flitet për ndërtim hidrocentralesh. Së treti, Berisha përpiqet të justifikojë vendimin e qeverisë së tij, me “argumentin” se edhe vendet e tjera si Austria, kanë ndërtuar në zona të ngjashme, duke respektuar mjedisin. Po ta thoshte këtë dikush tjetër, edhe mund t’i falej, por jo Berishës, që e njeh mirë, si Shqipërinë edhe Austrinë. Të pakrahasueshmet, nuk mund të krahasohen. Ndryshe nga Austria, për fat të keq, Shqipëria nuk ka infrastrukturën e nevojshme, as institucionet e duhura për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të kushteve e standardeve të përcaktuara në lejet përkatëse, nëse të tilla ka, por ç’është më e keqja, qeverive tona u mungon vullneti politik për të ushtruar monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të tyre. Pushteti dhe biznesi tek ne vazhdojnë muajin e gjatë të mjaltit, në një martesë me interes të ndërsjellë, natyrisht në dëm të interesit publik. Është iluzion të mendohet që, kur shkelet ligji hapur, në qendër të Tiranës, ai të zbatohet në majat e Alpeve. Kush do ta ndalojë konçesionarin që, në vend të sasisë së lejuar të ujit për shfrytëzim, prej rreth 20%, të mos e shfrytëzojë dyfish apo trefish, kundrejt një ryshfeti të vogël për kontrolluesin, në kurriz të ekosistemit, të florës, faunës dhe të banorëve të zonës. Kush e ka vizituar, kohët e fundit, Luginën e Valbonës, me siguri, e ka parë kanalin e betonizuar të njërit prej hidrocentraleve në ndërtim, i cili ka përmasa aq të mëdha, sa, jo 20%, po krejt Lumi i Valbonës nuk e furnizon dot atë. Berisha thotë se ky hidrocentral ishte paraparë të ndërtohet në të njëjtin vend, ku ka patur një ekzistues, por në fakt, ai është zhvendosur larg vendit të mëparshëm.
Mungesa e shtetit ligjor, fatkeqësisht, ndjehet edhe në zemër të Alpeve Shqiptare. Edhe ato janë pjesë e “kanabistanit”, për të cilin Berisha,flet shpesh. Së katërti, Berisha shprehet se, para vitit 2013, nuk ka patur asnjë ankesë, nga asnjë zonë, për ndërtimin e HEC-eve në këta lumenj. Kjo është e vërtetë, por për këtë ka “meritë” qeveria e drejtuar prej tij, e cila, për arsye që vetëm ajo mund t’i dijë, e mbajti opinionin publik në terr të plotë informativ rreth çështjes së ndërtimit të hidrocentraleve. Vetëm në pranverë të këtij viti, u mor vesh se Valbona kishte rënë keq viktimë e hecomanisë. Njoftimin nuk e dhanë institucionet shtetërore, por shtypi. Kjo përbën një tjetër shkelje të rëndë të legjislacionit mjedisor, vendor e ndërkombëtar, i cili kërkon nga institucionet shtetërore, që edhe mbledhjet për shqyrtimin e projekteve, të jenë të hapura për publikun e interesuar, për organizatat mjedisore jofitimprurëse, grupet e interesit (bizneset) dhe median. Ato jane të detyruara të vënë në dispozicion të tyre projektin dhe raportin e VNM-së, një muaj para se të zhvillohet debati publik për to. Në vend të bashkëpunimit me të gjitha palët e interesuara dhe te negociimit të kujdesshëm me to të të gjithë problematikës që krijon ndërtimi i hidrocentraleve në një zonë të mbrojtur, u zgjodh metoda e vjetër e veprimit të fshehtë, kaçakçe. Së pesti, Berisha arrin në përfundimin se anulimi i lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë do të ishte një vendim politik, por qartësisht arbitrar. Në gjykimin tonë, përkundrazi, dhënia e lejeve për ndërtimin e tyre ka qenë vendim politik, qartësisht arbitrar. Vendimet që merren në kundërshtim me ligjet dhe me vullnetin e popullit nuk mund të klasifikohen ndryshe, veç si arbitrare. Pikërisht ky arbitraritet përbën bazën për anulimin e lejeve të dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve.
Marrë në tërësi, platforma për kthimin e Shqipërisë në një “superfuqi të vogël” energjitike, pjesë e së cilës janë edhe HEC-et në Valbonë, parimisht është e gabuar, ekonomikisht dhe ekologjikisht, e dëmshme. Vetë termi “superfuqi e vogël “ është pa kuptim. Edhe superfuqi, edhe e vogël, nuk shkon. Mbase, fuqi energjitike rajonale, edhe mund t’i shkonte Shqipërisë, por jo me çmimin e rëndë të shkatërrimit të lumenjve. Se ku na çoi parrulla socialiste “T’u qepemi kodrave e maleve, t’i bejmë pjellore si edhe fushat”, dihet. Natyra u hakmor dhe po vazhdon të hakmerret, sot e kësaj dite, ndaj nesh (erozioni i tokës, përmbytjet, dukuritë e bioinvazionit, etj). Është e sigurtë se hakmarrja e saj do të bjerë edhe më ashpër mbi ne, në rast se do të zbatohet parulla e re, që në thelb, përbën imperializëm ekologjik, “t’u qepemi përrenjve e lumenjve për të ndërtuar mbi ta hidrocentrale”. Ndërkohë që tek ne po zhvillohet aksioni i digave dhe futjes së lumenjve në tuba dhe tunele, në botën e zhvilluar po zgjerohet, gjithnjë e më shumë, lëvizja për prishjen e digave. Në vitin 2014, në SHBA u prishën 72 diga. Kjo lëvizje është shtrirë edhe në Spanjë, Francë, etj. Sot zhvillimi i qëndrushëm nuk matet me numrin e digave që ndërtohen, por të atyre që prishen. Bashkimi Europian ka dhënë direktivën që të gjithë përrenjtë dhe lumenjtë të bëhen të kalueshëm për të gjitha gjallesat. Duan që të rikrijojnë Valbonat dhe Vjosat e tyre. Por e kanë të pamundur t’i sjellin në gjendjen e tyre të mëparshme, të natyrshme. Që nga vitet ’90 nuk kemi pushuar së bërtituri “ta bejmë Shqipërinë si Europa”. Por ja që, ka një fushë, në të cilën Europa dëshiron të bëhet si Shqipëria. Atë që lakmon Europa tek ne, duam ta shkatërrojmë me duart tona. Të shkatërrojmë atë që nuk ribëhet kurrë. Hidrocentrale mund të bëjmë, por jo Valbona dhe Vjosa. Kjo është arsyeja që ne këmbëngulim në kërkesën tonë: asnjë hidrocentral në Valbonë. As në Vjosë. Të hiqet dorë nga projektet që dëmtojnë natyrën dhe cilësinë e jetës sonë. Në qoftë se Shqipëria dëshiron që të jetë dikushi në rajon, por edhe më gjerë, le të bëhet fuqi ekologjike.
Kjo do të thotë që binomi “politike – ekonomi”, të kthehet në trinom “politikë – ekonomi – ekologji”. Kjo do të thotë që zhvillimi të bëhet në përshtatje me aftësinë e biosferës për të përthithur efektet e veprimtarisë së njeriut. Kjo do të thotë që një grusht oligarkësh të mos ketë mundësi t’i transferojë kostot mjedisore, në hapësirë dhe në kohë, tek palët e treta, përfshirë brezat e ardhshëm dhe speciet jonjerëzore. Kjo do të thotë që komunitetet që mund të goditen nga padrejtësitë mjedisore, të jenë të pranishëm në të gjithë procesin e vendimmarrjes mjedisore, në politikbërje, ligjbërje, negociim marrëveshjesh, administrim dhe monitorim, në mbrojtje të interesave të tyre afatgjata. Në rastin e Valbonës, do të thotë, që ajo mos të preket, por të ruhet, siç e ka falur zoti a natyra. Valbona është syri ynë. Të ndërtosh hidrocentrale në rrjedhë e saj, është njëlloj si të hedhësh kripë në sy. Me kaltërsinë e syrit të saj ne shohim botën, por edhe ajo na sheh ne drejt e në syrin e Valbonës. Revista e njohur amerikane “National Geographic” e klasifikon Valbonën si një ndër 9 mrekullitë natyrore të botës që duhet vizituar patjetër. Shqipëria aty përmendet, thjesht, si vendndodhje e Valbonës. Turistët nuk vijnë në Shqipëri për hidrocentralet, apo impiantet e plehut, por për Valbonën, Thethin, Vjosën, Dhërmiun.
Mirë do të ishte që Berisha, si tropojan, që ndan të njëjtin fenotip alpin me ne, si shqiptar, që ndan të njëjtin gjenotip me ne, por edhe si politikan i përgjegjshëm, të mos përpiqet që të justifikojë vendime të gabuara, të dëmshme, siç janë lejet e miratuara nga qeveria e drejtuar prej tij, për hidrocentralet, por të distancohet prej tyre dhe t’i bashkohet luftës dhe përpjekjeve tona për të mos lejuar ndërtimin e asnjë hidrocentrali në Valbonë. Duke perifrazuar një thënie të shkrimtarit të njohur francez, Antoine de Saint – Exupery, “ne nuk e trashëgojmë Tokën nga paraardhësit tanë, ne e kemi marrë atë hua nga fëmijët tanë”, në rastin e Valbonës, jemi dy herë borxhli. Sepse ajo është larë me gjak nga të parët tanë, për të mos përfunduar, si shumë troje tona, si pjesë e ndonjë vendi fqinj. Në këtë kuptim, mbrojtjen e saj ua kemi borxh paraardhësve tanë. Ndërkaq, si hua që ua kemi marrë fëmijëve tanë, ajo peshon po aq rëndë, në mos më shumë. Në daç me ligj, në daç me Kanun, gjëja e marrë hua duhet kthyer, ashtu siç është marrë. Këtë gjë po përpiqemi të bëjmë, duke mbrojtur Valbonën, në nderim të gjakut të të parëve dhe për të mirën e fëmijëve tanë.

