Shqiptari bie në grackën e policisë italiane, fshihte 7 kg drogë
Policia italiane kishte nisur hetimet për një tjetër shqiptar, por në grackë ka rënë një 32 vjeçar i cili është kapur me plot 7 kg lëndë narkotike. Një sasi droge i është gjetur shqiptarit në makinë, e pjesa tjetër ishte fshehur në banesë.
32-vjeçari me inicialet B.E., është arrestuar nga policia italiane në Bolonja. Policia kishte nisur hetimet për një tjetër shqiptar që ishte kapur me 42.5 kg marijuanë, por në grackë ra shqiptari 32-vjeçar, banues në provincën e Ascoli Piceno.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilën po udhëtonte, atij i janë gjetur rreth 5 kg marijuanë. Më pas në banesën ku jetonte shqiptari 32-vjeçar, në një bodrum, janë gjetur dhe 2 kg të tjera.
Përpos tyre, policia sekuestroi dhe 6.900 euro, të cilat dyshohet se janë fituar nga trafiku i drogës. Në banesë policia gjeti edhe dy peshore bashkë me bazën e nevojshme materiale për paketimin e drogës.

