Shtëpi dhe pasuri po i shkatërron Bankers
-Deputetët e LSI, PDIU dhe PD janë bërë bashkë dy ditë më parë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit Rama
Më datën 19 dhjetor në zonën e Zharrës të Fier Instituti Sizmiologjik regjistroi disa lëkundje tërmeti, deri në shkallën 4 ballë. Dhjetëra banesa dhe ndërtime biznesi rezultojnë se janë dëmtuar. Nuk është nga ato rastet kur kemi të bëjmë më fatkeqësi natyrore. Bëhet fjalë për lëkundje të shkaktuara nga kompania e nxjerrjes naftës Bankers Petrolium. Kompania ka marrë koncesionin nga Qeveria Shqiptare për nxjerrjen e naftës në zonën e Fierit që prej vitit 2004. Pjesë e kontratës është që kërkimi për naftë të mos bëhet vetëm me shpime të puseve, por edhe me metoda moderne. Këto metoda përfshijnë injektimin e ujit për nxjerrjen e naftës deri dhe përdorimin e lëndëve eksplozive për arritur deri në shtresat e naftës. Si rregull këto teknologji vihen në përdorim në zona të pabanuara dhe larg qyteteve. Në rastin konkret, shpërthimet janë kryer në një zonë që ka mijëra banorë, ndërtesa dhe mjaft biznese. Shpërthimet e datës 19 dhjetor nuk janë të vetmet.
Prej gati 3 vjetësh banorët e Zharrëz kanë ngritur shqetësimin për dëme kolosale te pasuritë e banorëve të zonës. Nuk kanë munguar protestat, bllokimi i rrugëve dhe peticioneve për t’u bërë apel institucioneve. Në datën 19 dhjetor pati përplasje fizike mes banorëve të Zharrëzit dhe punonjësve të kompanisë Bankers, të cilët nuk pranonin të ndalonin punimet që shkaktonin “tërmete”. Tre ditë më parë, një pjesë e banorëve kanë zgjedhur formën ekstreme të protestës, duke hyrë në grevë urie. Të gjitha këto zhvillime janë pasqyruar pak ose aspak në media. Nuk dihet pse ka heshtur media!
Për shkak të protestave, grevës së urisë së banorëve dhe qëndrimit të kompanisë Bankers që tregon në çdo situatë marrëveshjen e kopsitur, deputetët e LSI, PDIU dhe PD janë bërë bashkë dy ditë më parë dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama. Pesë deputetë të Fierit, Petrit Vasili dhe Robert Bitri të LSI-së, Omer Mamo i PDIU-së, Kozma Dashi dhe Bedri Mihaj të PD-së kërkojnë shpalljen e emergjencës në gjithë zonën dhe dëmshpërblimin e dëmeve të banorëve. Një pikë tjetër e kërkesës së deputetëve ishte dhe ajo e nisjes së një hetimi për zbatimin e kontratës së kompanisë Bankers Petrolum. Pavarësisht kësaj, përfaqësues të kompanisë kanë deklaruar në media se lëkundjet e fundit kanë qenë jashtë zonës së kërkimeve të tyre dhe kanë ndodhur për shkaqe natyrore.
Dy ditë më parë, Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri urdhëroi pezullimin e punimeve të kompanisë deri në sqarimin e rrethanave të asaj që ka ndodhur. Në zbatim të këtij urdhri, grupi i punës i kryesuar nga Zëvendësministri, Ilir Bejtja u takua dje me përfaqësues të komunitetit, Bashkisë së Patosit, Bankers Petroleum, dhe Albpetrol-it, ku caktoi detyrat për eliminimin e problemeve të shfaqura këto ditë.
Ndërhyrja e Ministrisë është e duhura, por duke parë historikun e këtyre problemeve duket se nuk janë të mjaftueshme. Mosmarrëveshja mes Bankers dhe banorëve nuk ka lindur vetëm këto ditë. Që nga ardhja e kompanisë banorët janë ankuar për dëmtim të banesave për shkak të teknologjisë që përdoret për nxjerrjen e naftës.
Prej tre vjetësh, kompania Bankers është kritikuar për shkelje të kontratave, për tërmetet dhe deri për evazion fiskal. Por me gjithë kritikat, sërish nuk ka pasur asnjë masë konkrete. Kjo për shkak të anekseve të marrëveshjes që kompania ka firmosur me qeverinë e Fatos Nanos në vitin 2004 dhe më pas me qeverinë e Sali Berishës. Ndaj qeveria e Ramës ndjehet e pafuqishme.
Sigurisht, një kompani serioze ka të drejtën të punojë dhe të shfrytëzojë çdo detaj të konkratës. Shteti nuk mund të penalizojë me një të rënë të lapsit një taksapagues të madh dhe një investitor të huaj. Por të gjitha këto vlejnë kur kompania dhe investimi nuk kthehen në një problem për qytetarët e vendit. Prej vitesh banorët e zonës së Fierit janë në terror dhe jetojnë me firkën se shtëpitë do tu bëhen të pabanueshme.
Bankers del më e fortë se banorët, më e fuqishme se shteti shqiptar!
Qamil Xhani

