Si shkuan bosh autobusët e futbollistëve të Izraelit në Elbasan
Masat drastike që kanë shoqëruar ardhjen e skuadrës se Izraelit në vendin tonë ka bërë që sektorë të posaçëm të Policisë së Shtetit bashkë me Prokurorinë dhe SHISH të mbajnë nën kontroll me dhjetëra persona të cilët kanë rezultuar me lidhje të veçanta me personat e arrestuar në Tiranë për xhihad. Mësohet se janë dhënë informacione më shumë se prej një viti në këtë drejtim ndërsa arrestimin e katër personave në Shkodër dhe shoqërimin dhe depërtimin e pesë të tjerëve drejtë Kosovës, mësohet se hetimi jonë por edhe ai izraelit e lidhin pikërisht me ngjarjen e ndeshjes së dy kombëtareve.
Edhe pse arrestimi u bë një natë para meshës së madhe të Lumturimit të Martirëve, sërish të gjitha shkaqet e grumbullimit të 9 personave në Shkodër e lidhin me ndeshjen. Në kuadër të këtyre masave, policia jonë përgjatë gjithë kohës së qëndrimit të kombëtares së huaj në vendin tonë ka angazhuar forca shtesë për të bërë të mundur mbajtjen larg të çdo personi të paautorizuar nga njerëzit e Izraelit.
Sipas të dhënave që vijnë nga burime të sigurta policore bëhet me dije se sa herë është lëvizur skuadra e Izraelit nuk është përdorur autobusi i tyre por gjithnjë mjetet e tyre kanë shkuar bosh në Elbasan dhe kthim ndërsa gjithë stafi dhe futbollistët janë lëvizur në mjete të tjere. Burimet sqarojnë se ekzistonte frika e ndonjë atentati në rrugë mes Tiranës dhe Elbasanit dhe ndaj edhe u morën të gjitha masat e duhura për të shmangur çdo lloj të papriture.
Hetimet për grupin e terrorit Njëri nga 4 personat e arrestuar nën dyshimin se po planifikonin një sulm ndaj Kombëtares së Izraelit, ka qenë nën përgjim prej më shumë se 1 viti. Ai ishte skeduar si një nga mbështetësit e dy imamëve të dënuar për rekrutim dhe propagandë për llogari të ISIS, Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Për këtë arsye ishte nën vëzhgimit e agjentëve të SHISH dhe Antiterrorit. Pasi u verifikua nga shërbimi sekret i ushtrisë izraelite se Lavdërim Muhaxheri kishte komunikuar me shtetas kosovarë për një sulm të mundshëm ndaj Kombëtares së Futbollit të këtij vendi, celula në Shqipëri nisi të aktivizohej. Mes anëtarëve të saj ishte dhe personi që mbahej në survejim prej më shumë se një viti. Emri i tij nuk bëhet i ditur për arsye hetimore. Të premten e shkuar u arrestuan Ergys Faslia, Bekim Protopapa me profesion mjek, Medat Hasani dhe Xhazair Fishti. Gjatë kësaj jave në polici janë shoqëruar mbi 150 persona, kryesisht të dyshuar si të kthyer nga luftimet në Siri, familjarët të tyre, si dhe të skeduar të tjerë si mbështetës të ISIS./Shekulli/

