Sindikata e arsimit: Nesër do ndërpritet ora e parë e mësimit, na plotësoni kërkesat
“Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar nëse ministrja e Arsimit do të na presë në takim. Ndaj, protesta dhe qëndresa e arsimtarëve në mbarë vendin do të vijojë”, kanë deklaruar drejtues të sindikatës së arsimit. Po ashtu, sipas tyre, mbështetur në ligjin e grevave, greva njëorëshe zhvillohet pa paralajmërim. Deri më tani, nga Ministra e Arsimit nuk ka asnjë njoftim zyrtar nëse ministrja Lindita Nikolla do presë një përfaqësi të mësuesve dhe sindikalistëve në takim, pasi kërkesa e tyre kryesore është dialogu institucional.
GREVA & KËRKESAT
SPASH dhe FSASH njoftojnë se ditën e martë nuk do të zhvillohet ora e parë e mësimit në sistemin arsimor parauniversitar, si vazhdimësi e protestës të mbajtur ditën e premte, më 16 dhjetor, para MAS-it. Pjesë e kërkesës së sindikalistëve është dhënia e shpërblimit të fundvitit prej 10 mijë lekësh dhe plotësimi i kërkesave të tjera dërguar MAS-it me shkresën e datës 21.11.2016.
Në shkresën që sindikata e arsimit i ka dërguar ministres Lindita Nikolla, i kërkojnë takim për të diskutuar mbi problematikat e arsimit si dhe respektimin e ngarkesës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë. Duke qenë se ende ministrja e Arsimit nuk ka lënë asnjë takim për drejtuesit e sindikatës, ata do të vijojnë me qëndrimet sindikaliste, deri në grevë pa afat, duke bllokuar procesin mësimor.
Në katër kërkesat e tyre kryesore, mësuesit kërkojnë respektimin e normës mësimore dhe pagesën e orëve mbi normë të mësuesve, pagesën e transportit të arsimtarëve duke i llogaritur distancën nga vendi i punës, si dhe shpërblimin e fundvitit prej 10 mijë lekësh. Gjatë protestës, mësuesit, të cilët janë mbështetur edhe nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH), kanë deklaruar se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, veç pezullimit të një ore mësimi këtë të martë, do të nisin grevë pa afat.
Ana financiare është në thelbin e kërkesave të tyre kryesore, pasi prej vitit 2013 e në vijim, mësuesve jo vetëm që nuk iu është bërë asnjë rritje page, por nuk iu është dhënë as shpërblimi i fundvitit, me përjashtim të disa mësuesve që janë cilësuar si mësuesit më të mirë të vitit dhe kanë marrë nga një pagë shtesë. Por kjo gjë nuk është mbështetur nga mijëra arsimtarë, pasi sipas tyre, nga 35 mijë mësues, dy vitet e fundit janë shpërblyer për fundvit vetëm 400, ndërkohë që kriteret e matjes së punës së tyre nuk janë transparente, pasi i matin vetëm në bazë të cilësisë së rezultateve të nxënësve në provimet kombëtare.
/GSh

