Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi, mbyllet sot faza e dokumentacionit për përfituesit

Mbyllet sot afati për fermerët e shpallur fitues në masat 5, 6, 7 dhe 9 të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 për të plotësuar dokumentacionin dhe kushtet e nevojshme për përfitimin e financimit. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka përcaktuar datën 13 gusht si afatin përfundimtar për përfituesit e listave të publikuara më 24 korrik. Pas kësaj date, dokumentet e dorëzuara nuk do të merren në shqyrtim dhe aplikantët që nuk kanë plotësuar kërkesat do të skualifikohen.

Procesi vjen pas publikimit të listave të para të përfituesve për masat 1 deri në 4, për të cilat afati i plotësimit të kushteve përfundoi më 10 gusht. Skema Kombëtare 2026 ka regjistruar një kërkesë të konsiderueshme nga fermerët. Në total janë paraqitur 42 728 aplikime. Kërkesat më të shumta janë përqendruar në sektorin e blegtorisë dhe bletarisë. Tufa bazë e të imtave ka mbledhur 7 236 aplikime, bletaria 7 016 aplikime, ndërsa tufa bazë e gjedhit 6 732 aplikime.

Fieri rezulton qarku me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërsa pas tij renditen Korça, Elbasani dhe Vlora. Për vitin 2026, mbështetja është strukturuar në 12 masa, që përfshijnë financime direkte dhe 3 masa mbështetje për investime dhe 9 masat përfshihen mbështetja për blegtorinë, bletarinë, fermat organike, kontrollin biologjik, certifikimin Global G.A.P., sipërfaqet e mbjella dhe ripopullimin e ujërave të brendshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në paketën e investimeve përfshihet mbështetja për fermerët e rinj deri në 40 vjeç, ndërtimin dhe rikonstruksionin e staneve, si dhe mekanizimin e bujqësisë. AZHBR bën të ditur se, mbështetja financiare synon të ndihmojë fermerët në uljen e kostove, rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së prodhimit, përmirësimin e standardeve dhe zhvillimin e praktikave të qëndrueshme në bujqësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?