SPAK i komunikon akuzën Mediut: Shpërdorim detyre dhe bashkëpunim me kuadrin komandues ushtarak
SPAK ka përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, të cilit iu komunikuan dy akuza.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim të detyrës në bashkëpunim me kuadrin komandues ushtarak.
Pas këtij momenti dosja do t’i dorëzohet për shqyrtim paraprak Gjykatës së Posaçme.
Pas daljes nga SPAK, ku iu komunikua akuza, ish-ministri Mediu foli për mediat.
Fatmir Mediu: Dua t’ju bëj me dije që më është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtët prokurorë dhe e njëjta akuzë, terësisht e motivuar politikisht, pa asnjë dokument, pa asnjë provë. Për shpërdorim detyre, nuk jam pyetur asnjëherë për aktet që kam firmosur, për 15 vjet.
Pyetje e gazetarëve: Ku është motivimi politik?
Fatmir Mediu: “Në akuzën që është bërë, është provuar në gjykatë që urdhri i ministrit nuk ka shkaktuar problem. Çdo letër qe kam nxjerrë ka ardhur referenca nga prokuroria civile dhe ushtarake. Ajo që mu paraqit është fashikulli i dosjes së firmosur nga Prokuroria e Përgjithshme. Këtë akuzë nuk e pranoj, jam i pafajshëm, çështja e demontimit ka të bëjë me sigurinë kombëtare.
Në këtë analizë është bërë veprimi, kjo është përcjellë nga të gjitha strukturat. Kam të drejtën për një proces normal, një ditë pas ngjarjes jam pyetur si person që njeh rrethanat. Kam deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare se nëse provohet se unë kam pasur kontakt me amerikanë, apo dhe stafi e familjarët e mi, atëherë mund të akuzohem. Është çështje edhe e akteve ligjore”.
Ndërkohë avokati i Mediut u shpreh se kjo është një “qëndrim absurd dhe një akuzë e ngjizur nga hiçi”.
“Dita e sotme konfirmoi këtë qëndrim absurd, pa patur çështje të regjistruar. U ngjis nga hiçi për përpjekje e dytë, më shumë sesa e dytë, se ka disa përpjekje të tjera, dhe vijmë sot në sitën ë njoftimit të akuzës, që është jo vetëm e njëjta akuzë, por dhe nga të njëjtët prokurorë. Kjo është një gjë e paparë nga ana ime e përvojës”, deklaroi ai.