Specialisti i turizmit humbi jetën pasi ra në humnerë, Beti Njuma: Na trishtove o Ndoc
Ndarja nga jeta e specialistit të turizmit në Pukë, Ndoc Mulaj, i cili ra në humnerë në zonë e Munellës në Pukë i ka prekur të gjithë. Gazetarja dhe moderatorja Beti Njuma ka bërë një dedikim prekës në rrjetet sociale.
“Do kujtojmë me mall guidat e tua, batutat dhe dijen që e ndaje pa kursim me ne. E kam të vështirë të gjej fjalët sepse pasioni ynë për aventurën malore me ikjen tënde kaq të parakohshme e kaq tragjike nuk do të jetë më si më parë”, shkruan ndër të tjera Njuma.
Kujtojmë se Mulaj ishte i shoqëruar nga gazetari Alfred Lela, Ilir Shyti inxhinier pyjesh, operatori Gisel Dollani dhe Dorien Malaj, dhe po lëviznin në këmbë në masivin pyjor të Munellës në Pukë për të bërë disa xhirime për në televizion.
Ndoc Mulaj dhe Ilir Shyti u rrëzuan në humnerë dhe pas disa orësh kërkimesh u gjetën por me plagë të shumta në trup. Specialisti i pyjeve ndërroi jetë në spital, kurse inxhinieri i pyjeve Ilir Shyti ndodhet në gjendje të rëndë.