Spiropali, ose çmimi i një diagnoze me vonesë
Nga Albatros Rexhaj
Demokracitë e reja nuk reformohen me deklarata. Ato reformohen me punë të ngadaltë brenda strukturave që ekzistojnë, me argumente që ngjizen, jetësohen dhe paguhen me kohë. Kjo nuk është teori; është historia e gjithë vendeve të rajonit që kanë ecur drejt institucioneve më të mira. Përparimi i Bullgarisë në luftën kundër korrupsionit erdhi pas një dekade presioni nga prokurorë e zyrtarë që zgjodhën të mos largoheshin. Drejtësia në Rumani u reformua jo nga ata që ikën nga sistemi, por nga ata që pranuan ta luftojnë sistemin nga brenda, edhe kur kjo do të thoshte vite në margjina të pushtetit. Modeli ballkanik i ndryshimit institucional është një: ai që rri brenda dhe paguan kostot, fiton të drejtën të kërkojë ndryshim. Ai që largohet me derë të hapur, fiton vetëm një mikrofon.
Ky është konteksti i nevojshëm për të kuptuar çfarë po ndodh me Elisa Spiropalin, dhe pse teksti i saj në Facebook, ndonëse i shkruar mirë, nuk është ajo që pretendon të jetë.
Spiropali ka qenë ministre. Ka qenë kryetare e Kuvendit. Ka qenë për tre vite në një trajektore rritëse të dukshme brenda Partisë Socialiste, deri në pikën që në qarqet e Tiranës flitej hapur për perspektivën e saj si kryeministre e ardhshme. Ky është një biografi që ngre një pyetje të vetme, që teksti i saj refuzon ta prekë: nëse partia ka problemin që ajo sot e përshkruan, problem strukturor, kulturor, sistemik, pse ajo nuk e ngriti atë kur kishte mikrofonin, mandatin dhe pozicionin për ta bërë?
Pyetja nuk është retorike. Është diagnostike. Sepse përgjigja përcakton nëse teksti i Spiropalit është akt parimi apo akt kalkulimi. Dhe përgjigja është e qartë.
Argumenti qendror i tekstit është ndërtuar rreth një diagnoze: ajo që Spiropali e quan një model “drejtorokracie”, ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ marrin vendin e përfaqësimit politik. Vetë diagnoza ka histori. Sociologët dhe politologët e rajonit e kanë identifikuar prej kohësh mbizotërimin e administratës mbi politikën, kontrollin vertikal të strukturave, zhdukjen e debatit të brendshëm. Këto janë tema reale, të punuara nga njerëz që ia kanë kushtuar karrierën të kuptuarit të tyre.
Pikërisht këtu fillon problemi me tekstin e Spiropalit. Ajo nuk po kontribuon në këtë diskutim; po e parazitarizon. Po merr vegla analitike që janë ndërtuar nga të tjerë, për qëllime të tjera, dhe po i përdor për të mbuluar një humbje personale. Diagnoza e drejtorokracisë nuk është mendim që ajo e ka ndjekur, e ka argumentuar, e ka mbrojtur publikisht para sot. Është një kornizë që ajo e ka gjetur tani, kur i është dashur. Ky nuk është kontribut intelektual; është huazim oportunist.
Sepse, nëse ekziston, ky sistem nuk ka lindur me Edi Ramën. Ai paske qenë i konsoliduar para tij, brenda partive politike dhe jashtë tyre, dhe mbeti i konsoliduar gjatë gjithë kohës që Spiropali ishte protagoniste e tij. Ministria e ushtruar nën këtë sistem; kryetaria e Kuvendit e ushtruar brenda këtij sistemi; pozicionimi politik që e bëri kandidate të mundshme për postin e parë i ndërtuar mbi rregullat e këtij sistemi. Asnjë fjalë publike kundër modelit kur ishte instrument i tij. Asnjë kërkesë për reformë kur kishte pushtetin për ta nisur. Asnjë artikulim i parimit që sot e shet si bindje të thellë. Spiropali nuk e zbuloi drejtorokracinë; ajo e zbuloi atë në momentin që ajo iu desh.
Dhe këtu krahasimi bëhet i pamëshirshëm: Erion Braçe.
Braçe ka folur për vite. Ka kritikuar fort. Ka refuzuar votime. Ka thënë publikisht atë që mendon, edhe kur ajo bie ndesh me linjën e partisë, edhe kur prek figura të rëndësishme, edhe kur kushton. Dhe nuk është përjashtuar. Nuk është nxjerrë jashtë grupit. Nuk është dënuar institucionalisht. Pse? Sepse modeli që Spiropali sot e quan represiv lejon zërin kritik. Ai që dëshiron të kritikojë nga brenda, mund. Çmimi është të mos pretendosh se po bën heroizëm dhe të mos kërkosh ekran ndërkombëtar për çdo mospajtim.
Ky është dallimi që e zhveshtë tekstin e Spiropalit. Braçe ka paguar koston e fjalës me kohë, durim dhe disiplinë. Spiropali kërkon dividentin pa investim. Pretendon të ketë gjetur ndërgjegjen e saj politike pikërisht në momentin kur trajektorja e saj brenda strukturave u prek nga ngjarje që ajo nuk i kontrollonte më. Kjo nuk është ndërgjegje. Është reagim ndaj humbjes.
Por ka edhe diçka tjetër në sjelljen e Spiropalit, që aktivisti i përkushtuar i Partisë Socialiste, ai që ka punuar pa ekran dhe pa dietë ndërkombëtare, nuk ia fal. Në asnjë parti serioze, askund në botë, nuk arrihet asgjë nëse audienca e luftës së brendshme kërkohet te OJQ-të, te diplomatët e huaj, te analistët parazitarë që nuk shohin kurrë diçka të mirë në vendin ku jetojnë. Lufta brenda strukturave bëhet brenda strukturave. Argumenti drejtohet te bazat, te delegatët, te kongresi, te organizatat e qarqeve, te njerëzit që e mbajnë partinë gjallë midis fushatave. Kur dikush brenda partisë e zhvendos debatin nga kjo audiencë te ajo e jashtmja, nuk po kërkon reformë; po kërkon presion. Dhe presioni i jashtëm mbi një parti politike vendore nuk është kontribut në demokraci të brendshme. Është nënshtrim i partisë ndaj aktorëve që nuk i përgjigjen votuesit shqiptar.
Kjo është linja që ndan dy lloje mospajtimi. Mospajtimi i Braçes drejtohet te socialistët. I Spiropalit drejtohet te ata që socialistët nuk i njohin. Njëri ndërton; tjetri shfrytëzon. Aktivisti që ka shkelur derë më derë në fushatë, që ka mbushur sallat boshe në mes të verës, që ka mbajtur partinë gjallë kur asaj nuk i shkonte mirë, e di dallimin. E di sepse e ka jetuar.
Sjellja e vëzhgueshme e javëve të fundit e mbështet plotësisht këtë lexim. Spiropali dhe Belinda Balluku ishin dy gra të fuqishme në trajektore rritëse paralele brenda Partisë Socialiste. Belinda zgjodhi rrugën e disiplinës strukturore: kursim publik, fokus në punë, ndërtim i pozicionit nga brenda. Spiropali zgjodhi rrugën e betejës publike: artikulim më agresiv, kultivim më i hapur i audiencës. Të dyja strategji legjitime. Të dyja të qëndrueshme për sa kohë të dyja trajektoret janë intakte.
Por kur trajektorja e Belindës u kërcënua nga problemet me drejtësinë, Spiropali bëri llogarinë që rrugëdalja e tjetrës ishte hapësira e saj. Dhe në vend që të tregohej e përmbajtur, e zgjuar, larg ngjarjes, ajo zgjodhi t’i japë shtytje, jo me argumente në sallë, jo në forumet e partisë, por në hapësira ku debati transferohet jashtë vendit ku ajo ishte zgjedhur të punonte. Aty bëri gabimin. Sepse politika e brendshme dhe operacioni i jashtëm prodhojnë sjellje që dallohen, edhe kur emri që iu vihet është i njëjtë.
Kjo është konteksti i tekstit “Më përjashto”. Ai nuk është deklaratë e ndërgjegjes. Është rikuperim. Është konvertim i një humbjeje taktike në narrativë principesh, me një gjuhë institucionale të huazuar nga debate që Spiropali kurrë nuk i ka udhëhequr. Drejtorokracia, ndarja e partisë nga shteti, mospajtimi si formë besnikërie. Asnjë prej këtyre nuk është temë që ajo e ka udhëhequr publikisht para sot. Janë formulime që marrin peshë vetëm kur huazohen në momente të caktuara.
Mospajtimi që del në momentin që mospajtimi i shërben pozicionit nuk është parim. Është strategji. Strategjia mund të jetë legjitime; nuk është e ndaluar të luftosh për veten. Por nuk duhet veshur me rrobat e parimit, dhe nuk duhet pretenduar si zbulim, kur është thjesht reagim.
Dhe ka edhe një gjë të fundit, ndoshta më e rëndë se gjithë të tjerat. Spiropali e ka humbur këtë betejë që në start, sepse për të shtyrë kapricion e vet, nuk ka treguar asnjë konsideratë për partinë dhe për luftën politike që kjo parti zhvillon në këtë moment. Partia Socialiste nuk është në vakum; është në mes të një cikli ku qeveria po negocion klasterët e integrimit europian, ku opozita po kërkon çdo plasaritje për të çuar narrativën e dështimit në Bruksel, ku çdo zë i brendshëm i humbur përkthehet në municion për kundërshtarë që nuk kanë asnjë projekt për vendin përtej rrëzimit të kësaj qeverie. Të zgjedhësh këtë moment për të prodhuar një teksti publik që huazohet dorë më dorë nga ata që duan dështimin e procesit, dhe ta bësh këtë jo për një parim që e ke mbrojtur me vite por për një llogari personale që e ke humbur, është akt që aktivisti nuk e fal. Sepse aktivisti e di se partia nuk është karrige; partia është beteja që mbahet kolektivisht, dhe kushdo që e dëmton atë për kapric individual, ka humbur të drejtën të kërkohet të dëgjohet me peshën e dikujt që ka punuar për të.
Pyetja e vërtetë, ajo që teksti i Spiropalit refuzon ta përballojë, nuk është nëse Edi Rama do ta përjashtojë apo jo. Pyetja është çfarë do të bëjë Spiropali nesër në mëngjes. A do ta gjejë veten duke kërkuar të rikthehet brenda strukturave që sot i quan të kalbura? A do të ndërtojë diçka tjetër, jashtë tyre, dhe a do të ketë kostoja e atij ndërtimi peshën e nevojshme për ta bërë të besueshëm? A do të heshtë dhe do të presë cikël tjetër?
Përgjigja do ta tregojë nëse teksti ishte fillim apo fund. Deri atëherë, ai mbetet ajo që është: dokument i një humbjeje që kërkon emër më të bukur.
KOHA JONË SONDAZH

