Statusi i gjyqtarit në Kushtetuese, kërkohet pezullim i ligjit
Unioni i Gjyqtarëve ankimon në Gjykatën Kushtetuese ligjin për statusin e gjyqtarit. Ankimi u dorëzua sot nga kreu i Unionit, Gert Hoxha.
Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen antikushtetues të ligjit dhe pezullimin e tij.
“Padia ka objekt shfuqizimin si antikushtetues ligjin për statusin e gjyqtarit. Kemi kërkuar dhe pezullimin e këtij ligji pasi cënon disa parime kushtetuese, atë të shtetit të së drejtës, juridike, barazisë para ligjit, cënon të drejtat e statusit të gjyqtarit”.
Kërkesën për pezullim të ligjit, Unioni e argumentoi me faktin se “të gjithë kryetarëve të gjykatave të vendit u ndërpritet mandati me nisjen e funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Sipas Gert Hoxhës, në hartimin e draftit nuk janë marrë në konsideratë sugjerimet e bëra nga radhët e gjyqtarëve.
Ai thotë se ligji cënon në thelb pavarësinë e gjyqësorit, dhe bie ndesh me ndryshimet kushtetuese të miratuara në 22 korrik.
Kreu i Unionit të Gjyqtarëve thotë se ligji shkel edhe standardet e përcaktuara në opinionin final të Venecias.

