Takimi për pronat në Himarë, e enjtja e ardhshme afati i fundit për dorëzimin e dokumentave
Ndërsa ambasadorja greke Eleni Sourani lëshonte nga Vlora mesazhe për trajtimin me dashamirësi e kujdes të çështjes së pronave të banorëve të Himarës, në bashkinë e vogël me minoritarë drejtuesit e institucioneve kishin zbarkuar me një ofertë te re për marrëveshje.
Qeveria shqiptarë është gati të dëmshpërblejë me çmimin e një prone të hipotekuar, të gjithë banorët e Himarës që preken nga projekti i rikualifikimit urban, në rast se deri në enjten tjetër dorëzojnë dokumentet!
Vendimin e bëri të ditur zv/ministri Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli
Artan Shkreli: “Bëj një apel të fundit në mënyrë që sot një javë të jenë në dispozicion të këtyre pretendentëve për prona të cilët kanë dokumentet, ti paraqisin këto dokumenta të enjten tjetër në mjediset që do të vërë në dispozicion bashkia.”
Por ndërsa e enjtja është vënë afati i fundit për banorët që të përfitojnë nga kjo lëvizje e qeverisë, Shkreli thotë se projekti nuk ka kthim pas
Artan Shkreli: “Një gjë është e qartë dhe e sigurtë që ky projekt do të vazhdojë nuk ka kthim mbrapa. Qeveria shqiptare i ka marrë të gjitha masat, ka nxjerrë edhe fondin e shpërblimit duke llogaritur sikur të gjithë pronarët do ti rregullojnë pronat e tyre dhe do ti hipotekojmë.”
Ndërsa kryebashkiaku Jorgo Goro u angazhua për të ndihmuar qytetarët për rishikimin e dokumentacionit për tituj e pronësisë
Jorgo Goro: “Ne si bashki, gjithë struktura jonë është në dispozicion të qytetarëve se çfarë dokumentacioni duhet të kenë ata në mënyrë që ky projekt shumë i rëndëishëm për Bashkinë tonë por edhe për qytetarët të finalizohet me sukses.”
Dy raunde të mëparshme negociatash kanë dështuar të gjejnë dakordësinë mes qeverisë dhe banorëve që kundërshtojnë projektin, Ndërsa Tirana zyrtare ka marrë kërcënime direkte nga Athina për ta trajtuar këtë çështje të lidhur me integrimin me një kujdes të veçantë.

