TAP rikonstrukton Shkollën e Grecallisë në Fier
Fier, Shqipëri. Me datë 5 tetor 2017, Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) mori pjesë në ceremoninë e përurimit të shkollës së rikonstruktuar “Thanas Ikonomi” në fshatin Grecalli, Fier. TAP ka investuar për rikonstruksionin e kësaj shkolle rreth 340,000 euro, si pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore. Punimet përfshijnë rikonstruksionin e plotë të godinës dhe pajisjen e klasave me mjetet e nevojshme për zhvillimin e mësimit.
Të pranishëm në ceremoninë e përurimit ishin drejtues të TAP, Kryetari i Bashkisë së Fierit dhe përfaqësues nga Drejtoria Rajonale Arsimore e Fierit. Nxënësit e shkollës, me rastin e ceremonisë së përurimit, organizuan një spektakël të vogël artistik me valle tradicionale të zonës së Fierit dhe këngë. Gjithashtu ishte përgatitur edhe një ekspozitë me foto nga shkolla para rikonstruksionit.
Ulrike Andres, Drejtoreshë e TAP për Tregtinë dhe Marrëdhëniet me Jashtë, iu drejtua nxënësve të shkollë duke u thënë: “Nga entuziazmi që gjeta këtu kuptoj që ky investim i TAP është shumë i mirëpritur nga ju nxënësit. Ne jemi shumë krenar për rikonstruksionin e kësaj shkolle, për standardet e larta që janë përdorur e që mund të shërbejnë si shembull edhe për shkollat e tjera të Shqipërisë.”

Ndërsa Shkelqim Bozgo, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, në fjalën e tij theksoi: “Më vjen mirë që nxënësve po u krijohen kushte më të mira për të mësuar e për të përgatitur një të ardhme më të mirë për veten dhe për komunitetin e Grecallisë. Kjo është një dëshirë dhe njëherazi një objektiv i investimeve sociale dhe mjedisore të TAP në Shqipëri: të përmirësojmë jetesën e komuniteteve pranë gazsjellësit.”
“Deri para disa kohësh kjo godinë mund të ishte gjithçka përveçse shkollë. Ka qenë mbështetja e menjëhershme e TAP që e ka kthyer në jetë këtë shkollë të rrënuar e të harruar prej vitesh. Sot kjo shkollë është një hap përpara shkollave të qytetit. Standardet e përdorura nga TAP në rikonstruksionin e kësaj shkolle ne do t’i kthejmë në një manual për rikonstruksionin e shkollave të tjera.” tha Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Mbi 210 nxënës të shkollës “Thanas Ikonomi” tashmë do të mësojnë në kushte shumë të mira dhe të sigurtë. Një vëmendje të veçantë gjatë rikonstruksionit i është kushtuar efiçencës në përdorimin e energjisë duke bërë izolimin termik të godinës dy-katëshe.
Shkolla është pajisur me sistem alarmi për zjarrin, duke e bërë një ndër shkollat e para me një sistem të tillë. Gjithashtu shkollës i janë shtuar edhe shkallë për dalje emergjence duke ofruar standardet më të larta të sigurisë.
Puna për rikonstruksionin e shkollës zgjati rreth katër muaj dhe për të punuan rreth 70 punëtorë. Punimet u realizuan nga kompania shqiptare Agbes dhe u mbikëqyrën nga Abkons, kontraktor i TAP. “Thanas Ikonomi” është shkolla e dytë në Bashkinë e Fierit ku TAP ka investuar. Në vitin 2015, TAP rikonstruktoi ambientet sportive të shkollës “Andon Profka” në fshatin Seman.


