”Taulanti” dhe dosja e vrasjes/Taulant Balla: Nuk jam unë, do të dalë një deputet i PD!
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka hedhur poshtë akuzat se në vitin 2016 është vënë në përgjim nga Prokuroria e Elbasanit për shkak të komunikimit me grupet e dyshuara kriminale. Balla i cilëson akuzat si një orkestrim politik.
“Nuk ka asnjë gjë të vërtetë në të gjithë këtë histori të gatuar nga kuzhina e babalerisë së Sali Berishës. Përballja me Sali Berishën të bën të përballesh me trillime çnjerëzore të këtij niveli. I jam drejtuar gjykatës. Në këtë rast mbajeni mend: do të dalë dhe do të thotë që nuk ka qenë Taulant Balla, por ka qenë një deputet i Partisë Demokratike”,-tha Balla.
Ardian Çapja lëshoi akuza në drejtim të një politikani me emrin Taulant, që sipas tij ka qenë në përgjim për masakrën e 3 shkurtit të 2016-tës. Sipas tij, edhe vrasja e avokatit Ravik Gurra ka ndodhur për shkak se po punonte për zbardhjen e kësaj dosje. Po ashtu edhe PD ka hedhur akuza, ku më herët i ka kërkuar SPAK-ut që të nis hetimet dhe të hapi dosjet.