Tedi Blushi: Prioritet i Presidentit është vetëm jeta e qytetarëve. Ja e vërteta për Komisionin e Venecias

Presidenca ka reaguar sot lidhur me lajmet e shpërndara nga PS ku pretendohet se Komisioni i Venecias ka shtyrë miratimin e raportit përfundimtar. Në një deklaratë për mediat, Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit shprehet se kreu i shtetit është i fokusuar vetëm në përballimin e situatës me koronavirusin dhe nuk aktualisht nuk ka asnjë prioritet tjetër, përveç jetës së qytetarëve.

Duke komentuar “lajmet” e PS, Blushi thotë se njeriu që ka shpërndarë informacionin është Taulant Balla, i cili në këtë emergjencë kombëtare gjen kohë të merret me diversione politike. Blushi shprehet se e Komisioni i Venecias nuk ka pranuar të ndryshojë raportin përfundimtar sipas kërkesave të PS, duke lënë në fuqi raportin denoncues për shkelje kushtetuese nga ana e PS dhe qeverisë.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit në Facebook:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është i fokusuar në masat e marra për përballimin e COVID 19 dhe tejkalimin e kësaj situate kritike, duke patur prioritet kryesor vetëm mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.

Por fatkeqësisht konstatojmë se dhe në këtë situatë të vështirë “burime” nga mazhoranca gjejnë kohë për t’u marrë me politikë të papërgjegjshme dhe të pacipë duke serivur në media lajme të pavërteta nga Venecia.

Me përgjegjësi të plotë sqarojmë se “burimi i Strasburgut” është Taulant Balla, i cili edhe pse është kryetar i vetëm një grupi parlamentar politik në Kuvend është personi i kontaktit në emër të Kuvendit edhe me Komisionin e Venecias, tamam për të provuar se Kuvendi aktual është njëpartiak.

Burimet e vërteta nga Strasburgu konfirmojnë se raporterët nuk kanë pranuar ndryshimin e opinionit të 6 marsit. Ndërkohë në Parlamentin holandez është kërkuar të përfshihet si kusht i qartë për Qeverinë shqiptare: zbatimi i rekomandimeve të opinionit të datës 6 mars, dhe opinionit për ligjin e ashtuquajtur “anti-shpifje”, përveç 9 kushteve të Bundestagut. Në këto rrethana është shtyrë edhe publikimi i raportit përfundimtar nga Komisioni i Venecias.

Presidenti Meta uron që situata me pandeminë COVID 19 të kalojë sa më shpejt, dhe se vëmendja dhe angazhimi i Tij do të vazhdojë të jetë 100% në kapërcimin e saj të menjëhershëm dhe me pasoja sa më të lehta për qytetarët.

 

SHKARKO APP