Tefta Radi: Një dokumentar për Frankon, për shpirtin dhe këngën e tij

Nga Zenepe Luka

 Familjarët e kantautorit, Françesk Radi, cilësuar si “Çelentano shqiptar”, kanë mbledhur miq dhe të afërm në ditën e 40-të të ndarjes së tij nga jeta. Të pranishme edhe disa mike të afërta të Teftës, bashkëshorte e të ndjerit, kolege dhe pjesë e fondacionit “Nermin Vlora” si Nderi i Kombit Tinka Kurti, “Mjeshtër i Madh” Roza Anagnosti dhe Irini Qirjako, publicistët Kozeta Mamaqi, Elsa Xhaji e Zenepe Luka, poetja Vllasova Musta etj.

“Franko ishte me ne”

Rrallë herë ka ndodhur, për të mos thënë se është hera e parë, që në një ditë të dhimbshme, përkujtimore, të kesh pranë njeriun që është ndarë nga jeta. Gazetarja e mirënjohur Tefta Radi, paçka se loti nuk i është ndarë nga sytë, që nga çasti, që Franko pati një goditje fatale nga një hemorragji cerebrale, pas një darke plot gaz e me humor në familje, e më pas ndarja e tij nga jeta, në organizimin e kësaj ceremonie, ajo ka menduar, që Franko të ishte aty

Në një ekran të madh gjatë gjithë kohës, u shfaq kantautori i dëgjuar me kitarën e tij, duke kënduar live në shumë skena, gjatë gjithë karrierës së tij. Ishte një risi, që krijoi një emocion të veçantë tek të pranishmit, që filluan të komentojnë për këngët, studion dhe 15 kitarat e këngëtarit, ku përmendet edhe Kitara, që i ka dhuruar aktori dhe regjisori i madh Kujtim Spahivogli. Madje, pati edhe momente, që ndonjë këngë, sikurse ishte “Biçikleta”, u shoqërua edhe nga ndonjë fans, i pranishëm.

Një dokumentar për Frankon

Në bisedë e sipër, Tefta na tregon se është shumë e impenjuar për dokumentarin që i kushtohet bashkëshortit, që mendon ta promovojë në ditën e 1 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.  “Kam bërë me dhjetëra dokumentarë gjatë karrierës si gazetare, duke gërmuar me dekada, por këtu kam ngecur. Përveç dhimbjes që ndjej, pse Franko iku papritur, në një moshë të re, duke lënë shumë punë përgjysmë, por edhe për shkak se ka kaq shumë materiale, që nëse do t’i shtrije përgjatë gjithë karrierës së tij, do të duheshin orë të tëra për t’i shfaqur. Kam mbresa, kujtime të pashlyeshme. Tek Franko gjeta dashurinë, talentin, guximin, sakrificën, sfidën, bashkëshortin e mrekullueshëm, babanë e dhembshur, njeriun e pazakontë,  që i donte njerëzit dhe falte edhe ata që e ndëshkuan padrejtësisht”,- thotë Tefta Radi, ndërsa shton se “Nuk e di nëse do t’ia dal, të nxjerr nga duart e mia, atë që dua, atë që meriton Franko. Ajo që di, është se këtë dokumentar, dua ta bëj me duart e mia, me merakun për të përjetësuar këngën dhe dashurinë e tij”.

Ikja

Tefta me të birin, largohet për në Australi, shtetin, ku jeton nëna, vëllezërit dhe të afërmit e saj nga të dy prindërit. Ajo tregon se ishte bërë bashkimi me familjen 1 muaj përpara se të ndodhte tragjedia,  ishin prerë edhe biletat e avionit, për bashkëshortët dhe djalin dhe se Franko, mezi priste këtë ditë. “Po iki me kokën pas, pse këtu po lë Frankon e shtrenjtë. Nuk e meritonim këtë tragjedi, por ajo që na mbetet mua dhe fëmijëve, është të përballojmë dhimbjen dhe të jetojmë me dashurinë dhe këngën e Frankos,- thotë ajo me sy të përlotu, ndërsa përqafohemi para ikjes së saj”.

Vlerësime për Françesk Radin

Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”: “Vërtetë ishte një risi, takimi me familjarët dhe miqtë e këngëtarit të ndjerë, Françesk Radi. Na u duk se ishte me ne dhe kënduam bashkë. Kjo mënyrë të konceptuari dhe organizuari nga Tefta, solli një atmosferë ndryshe, nga çfarë ndodh në këto raste, ishte një çmallje edhe me këngëtarin, që la një emër të madh në fushën e muzikës”.

Roza Anagnosi, “Mjeshtër i Madh”: Kur flasim për kantautorin Françesk Radi, duhet të përmendim disa të veçanta. E para zëri karakteristik i tij, që ngjan shumë me këngëtarin e madh italian, Çelentano, që i këndonte me mjeshtëri edhe këngët e tij. Një këngëtar, që u ndëshkua për shkak të këngës, por kënga e tij nuk heshti edhe kur shkoi në Fushë-Arrës, ku gjeti edhe dashurinë e jetës, Teftën. Franko, i përballoi vështirësitë e jetës me këngë, duke sfiduar e triumfuar si kantautor. E dhimbshme, që u largua kaq shpejt nga jeta, po Ai la një pasuri të madhe shumë të vlefshme në fushën e muzikës.

Irini Qirjako: “Ishte këngëtar i veçantë për zërin dhe karakterin e tij. Këngëtar me një shpirt human, që sfidoi vështirësitë që i solli jeta, duke lënë pas një thesar të vyer me këngë e kompozime”.

Kozeta Mamaqi: “Bashkëkohësit, por edhe brezat do të kujtojnë zërin e veçantë të Françesk Radit, që si asnjë këngëtar tjetër këndoi me aq pasion këngët italiane, në kohën që ishte tabu”.

SHKARKO APP