Tensione të forta në parlament. Deputetët e PD: Të vijë Rama, të mos fshihet pas fustanit të Elisa Spiropalit!

Sherr, tension, përplasje dhe ironi ka sot në parlament. Deputetët e PD-së kanë kërkuar interpelancë dhe debat pa limit kohor me kryeministrin Rama për çështjen McGonigal.

Deputeti i PD, Luçiano Boçi, ka marrë fjalën i pari dhe ka thënë se në procesverbalin e seancës së kaluar nuk ka gjetur asnjë arsye se përse u përjashtuan për 10 ditë nga Parlamenti deputetët e PD.

Më pas kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i ka fikur mikrofonin Boçit, duke thënë se fjala e tyre nuk ishte për procesverbal.

Pas këtij momenti deputetët e PD-së kanë rrethuar foltoren, ndërkohë që Boçi ka vijuar fjalën, teksa ka kërkuar që sot në këtë seancë, duhej të ishte prezent kreu i qeverisë.

Deputetja Jorida Tabaku u shpreh se Parlamenti nuk mund të kthehet në një zyrë të kryeministrit Edi Rama.

Më tej, Tabaku theksoi se deputetëve të opozitës nuk mund t’u hiqet fjala dhe e drejta e tyre për të folur për çështje me rëndësi.

“Disa nga ne këtu e kanë marrë me seriozitet parlamentin dhe vijmë të diskutojmë dhe debatojmë. Javën e kaluar iu hoq fjala gjysmës së këtij parlamenti. Nuk mundet parlamenti, kur opozita duhet të përfshihet në procese të rëndësishme, të kthehet në zyrë të qeverisë. Të drejtën e fjalës tonë këtu nuk na e hiqni dot. Sot ndodhemi në një moment që është vërtetuar çdo gjë që ne kemi thënë. Kush po gënjen? Ne , ju apo FBI? Jepuni shqiptarëve mundësinë të marrin vesh të vërtetën. Unë vij këtu sepse jam votuar për të folur dhe nuk keni të drejtë të hiqni fjalën. Janë të rëndësishme shumë çështje, por lërini deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre”, tha Tabaku.

Më pas tensionet e tonet janë ngritur edhe më shumë kur kryetarja e Kuvendit, Nikolla ka njoftuar se Kryeministri Edi Rama ka deleguar ministren e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, për interpelancën urgjente të kërkuar nga deputetët e opozitës, për çështjen e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal.

I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i deputetëve të opozitës. Gazment Bardhi ka thënë se  Rama nuk mund të fshihet pas Elisës dhe Agron Nezës, por të vijë në Kuvend për të dhënë llogari. Më tej, Bardhi theksoi se nuk pranon të vazhdojë interpelancën në Kuvend, nëse i pranishëm nuk do të jetë vetë kryeministri Rama.

Kam kërkuar interpelancë me kryeministrin për takimet e tij private dhe jo me hijen e tij. Nuk e kam thirrur si të pandehur, por si kryeministër. Nuk mund të fshihet pas Elisë, Agron Nezës dhe McGonigal. Duhet të vijë të japë llogari se si me veprime kriminale ka korruptuar zyrtarë të lartë në FBI. Sipas rregullores interpelanca urgjente është pika e parë. Pezullo seancën plenare. Ushtro autoritetin tënd. Mos u sill si kukull e Edi Ramës. Silluni si kryetare e Parlamentit. Thirr Kryeministrin në seancë. Më lër të mbaroj. Si avokate ta marri Elisën, nuk ndërhyj. Por si kryeministër të vijë këtu dhe të japë llogari. Nuk pranoj të bëj interpelancë me hijen e kryeministrit“, tha Bardhi.

Në të vertetë kryeministri Rama duhej të shkonte në parlament pasi akuzohet direkt ai. Flitet për FBI dhe akuzat janë se qindra mijëra dollarë u dhanë për të korruptuar një zyrtar të lartë amerikan për interesa politike të kryeministrit.

SHKARKO APP