Tenton të korruptojë policin me 2 mijë lekë, pranga të riut (Video)
Policia e kryeqytetit ka arrestuar një 24 vjeçar, pasi ka tentuar të korruptojë një punonjës policie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit në Tiranë ku është arrestuar shtetasi Gazmend Mcini, pranë Bulevardit “Dëshmorë e Kombit” në afërsi të ish-Hotel Dajtit.
Patrulla e policisë i bëri të riut testin e alkoolit dhe e paralajmëroi për tërheqjen e patentës, por dokumentet që ia dha policisë kishte përfshirë brenda tyre edhe një shumë prej 2.000 Lekë
“Pas testit të alkoolit, nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore i është komunikuar se do i tërhiqet leja e drejtimit pasi është konstatuar nën ndikimin e alkoolit, në këto momente ky shtetas i ka bashkangjitur dokumenteve të tij dhe shumën monetare prej 2.000 Lekë, për t’i shpëtuar pezullimit të lejes së drejtimit”, thuhet në një njoftim të policisë.
Debati mes drejtuesit dhe efektivit ttë rrugores
Shoferi: I do edhe letrat e tjera?
Polici: Po i ke ato Kontroll Teknik, Siguracion..
Polici: Do shoqëroheni në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ke tentuar të korruptosh punonjësin e policisë.
Shërbimet e Policisë Rrugore menjëherë kanë bërë shoqërimin e shtetasit Gazmend Mcini, në ambientet e Komisariatit për veprime të tejshme për “mitdhënie”, si dhe kanë vazhduar procedurat administrative në lidhje me shkeljen e konstatuar, duke i tërhequr lejen e drejtimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

