”Tërbim” në kuvend/Deputetët hapin faqe erotike gjatë seancave…
Kuvendi i Shqipërisë ka një shqetësim të madh. Një pjesë e deputetëve të Shqipërisë, gjatë seancave plenare hapin faqe me përmbajtje të fortë erotike, gjë e cila jo në pak raste është fiksuar nga kamerat e vendosur pas kurrizit të tyre.
Shqiptarja.com, shkruan se deputetët kanë hapur faqe erotike në sallën e parlamentit, që janë ankuar tek organet e Kuvendit të Shqipërisë, aq sa ky shqetësim i ligjvënësve është raportuar edhe në Konferencën e Kryetarëve më datë 4 Tetor. Deputetja e PS, Vasilika Hysi, u ka kërkuar kryetarëve të grupeve parlamentare që ta diskutojnë këtë shqetësim me deputetët që hapin faqe në internet me përmbajtje jo etike.
“Është ngritur një shqetësim lidhur me sjelljen e deputetëve në sallën e Kuvendit dhe raporti me medien. Meqenëse ne i kemi të gjitha kamerat lart, shumë deputetë gjatë seancave hapin internetin në faqe nga më të ndryshmet dhe ndonjëherë jo etike dhe pastaj dalin në media. Ky është një problem i madh shqetësues, sepse ka raste që edhe deputetët acarohen me stafin e Kuvendit, ndërkohë që stafi i Kuvendit, qoftë edhe ata që mbulojnë medien nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet tona si deputetë, që hapim, lexojmë dhe medie nga lart pastaj i nxjerr.”, është shprehur deputetja Hysi.
Kujtojmë se në bazë të nenit 11 të Kodit të Sjelljes, është i ndaluar përdorimi i telefonit nga deputeti gjatë seancave plenare dhe mbledhjeve të tjera të organeve të Kuvendit, duke përfshirë komisionet parlamentare, komisionet hetimore, komisionet e posaçme, Konferencën e Kryetarëve, Këshillin për Legjislacionin, Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit etj. Një rregull ky që për hir të së vërtetës nuk është respektuar nga deputetët.

