“The Sun” gjen dezertorët: Fshihen mes shqiptarëve, rrezikojnë 5 vite burg
Dezertimi i katër ushtarëve shqiptarë nga stërvitja e NATO-s në Mid-Uells të Britanisë së Madhe, është një alarm që ka tërhequr vëmendjen e shtypit të huaj. Kjo në dy aspekte: Rroga e tyre dhe braktisja e stërvitjes. Prestigjozja britanike “The Sun”, veçon që në nisje të artikull se 4 komandot po fshihen nga frika ku dhe zbulon kush po mban komandot. “The Sun”, shton se detajet e zhdukjes u mbajtën të fshehta nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa hetimet kanë nisur si në Britani dhe në Shqipëri. Gazeta zbulon se: “Reni Ajazi, Ylber Kotri, Aleksandër Shkulaku dhe Klevis Lamkaj mendohet të jenë strehuar në komunitetin e shqiptarëve në Britani”.
“Komandot do të përballen me burg deri në pesë vite për braktisje të misionit. Ata ishin midis 11 shqiptarëve në stërvitjen e NATO-s në Mid-Uells, e paguar nga Ministria e Mbrojtjes”,-thuhet në artikull. Një burim tha për gazetën se: “Ata duheshin të ktheheshin në kazermë dhe të fluturonin përsëri ditën tjetër”.
Një burim ushtarak në Tiranë shtoi se: “Familjet e njerëzve të zhdukur janë marrë në pyetje dhe hetimi po vazhdon në Britani dhe Shqipëri”. Stërvitja e drejtuar nga brigada e 160-të këmbësorisë në selinë e Uellsit, pa 139 skuadra nga e gjithë bota. Ata bënë një marshim prej 60 km përgjatë Malit të Zi. Sikurse u përmend edhe në mediat tona, “The Sun” nënvizon se paga e tyre shkon në 220 dollarë në muaj.
Në fund, citohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, si ish-kreu i Forcave Speciale Shqiptare. “Unë e di se ata nuk paguhen mirë dhe punojnë në rrethana të vështira por ajo që bënë është tërësisht e pajustifikuar. Ata udhëtuan në Britani për të përfaqësuar Shqipërinë në një stërvitje ushtarake dhe unë u kërkoj atyre të kthehen në vendin e tyre sa më parë të jetë e mundur”.
Nga dëshmitë e 8 efektivëve të tjerë, komando që ndoqën të njëjtin kurs, bëhet e ditur se katër komandot janë larguar pak para nisjes drejt Shqipërisë. Ata janë ndarë nga shokët e tjerë të grupit me preteksin se do të shkonin për një kafe dhe nuk janë parë më. Sipas rregullores autoritetet ushtarake priten pesë ditë dhe pas informacioneve që shkëmbyen edhe me autoritetet britanike që organizuan trajnimin, konfirmuan zhdukjen e katër komandove shqiptare. Pas kësaj depozituan në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj tyre.
Në repartet ushtarake në Shqipëri ky fenomen është hasur edhe më parë, pasi gjatë dy viteve të fundit në gjykatë janë gjykuar rreth 20 çështje për mosparaqitje të ushtarakëve në detyrë.
Përshtati: Redjon Shtylla/Koha Jonë
https://www.thesun.co.uk/news/4940491/albanian-soldiers-vanished-nato-mid-wales/

