Tirana dhe sfida e bashkëpronësisë

Por kanë kaluar tetë vjet nga miratimi dhe hyrja në fuqi dhe ligji nuk ka gjetur zbatim. Moszbatimi është i patolerueshëm, qoftë edhe për faktin se në thelbin e ligjit janë disa nga parimet e liberalizmit si kushtetutshmëria, demokracia e gjerë, të drejtat e njeriut, iniciativa dhe tregu i lirë që u bënë pjesë organike e programeve të të gjitha qeverive të çerekshekullit të fundit.

Nga Halil Rama

Pasi ka fituar të gjitha betejat publike gjatë 18 muajve të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, Kryebashkiaku Veliaj merr përsipër një tjetër sfidë, atë të krijimit të një rrjeti punonjësish të përzgjedhur nga vetë qytetarët dhe të certifikuar nga bashkia, të cilët do të gjenden pranë komunitetit për t’i dhënë zgjidhje problematikave që lindin prej bashkëpronësisë. Bashkëpronësia si filozofi dhe vizion politik u bë pjesë e legjislacionit    shqiptar 18 vite pas ndryshimit të sistemit politik në vendin tonë. Ligji nr. 10112, datë 9.4.2009 “ Përadministrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” erdhi si imperativ i kohës, nën trysninë dhe fluksin e paparë të ndërtimeve në të gjitha qytetet e vendit dhe sidomos pas situatës kaotike në Tiranë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por kanë kaluar tetë vjet nga miratimi dhe hyrja në fuqi dhe ligji nuk ka gjetur zbatim. Moszbatimi është i patolerueshëm, qoftë edhe për faktin se në thelbin e ligjit janë disa nga parimet e liberalizmit si kushtetutshmëria, demokracia e gjerë, të drejtat e njeriut, iniciativa dhe tregu i lirë që u bënë pjesë organike e programeve të të gjitha qeverive të çerekshekullit të fundit. Duhet pohuar pa druajtje se pavarësisht predikimeve të maxhorancës së kaluar, kuadri ligjor për bashkëpronësinë u përdor shpesh si një garniturë demagogjike kurse në realitet u shkel sistematikisht nga ata që patën pushtetin. Krejt ndryshe nga ata që nuk ngurojnë t’ i konsiderojnë administratorët e pallateve si 80 lekëshat (b/punëtorët e sigurimit) e kohës së diktaturës, kryebashkiaku Veliaj i quan ata si hallka fundore e zinxhirit “Administratorë Njësie-Ndërlidhës komuniteti-Administrator pallati”, ose menaxherë të njësive të banimit në kryeqytet, të cilët marrin kompetenca dhe përgjegjësi për administrimin e infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetaret.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke vlerësuar besimin që qytetarët i kanë dhënë për drejtimin e Tiranës, Kryebashkiaku Veliaj u ka drejtuar atyre një letër, ku thekson se Tirana është i pari qytet në Shqipëri, i cili nis t’u japë zgjidhje problemeve që qytetarët hasin sot në administrimin e pallateve dhe mjediseve të përbashkëta. Kësisoj, kjo sfidë e Kryebashkiakut Veliaj synon të fusë në tregun e profesioneve, atë të administratorit të bashkëpronësisë që njihet me ligj. Hapja e këtij tregu, ku mund të garojnë ata që e bëjnë punën më mirë, në bazë të eksperiencës dhe aftësisë për të punuar me një bllok pallatesh është argumenti që hedh poshtë çdo hije dyshimi të atyre që pretendojnë përdorimin politik të administratorëve.

Qytetarët e mirëpresin projektin për administrimin e pallateve

Bashkia e Tiranës sapo ka nisur zbatimin e projektit për zgjedhjen dhe regjistrimin e asambleve dhe administratorëve të bashkëpronësisë së pallateve, të cilët do të shërbejnë si zëri i banorëve në marrëdhëniet me Njësitë Administrative dhe Bashkinë e Tiranës dhe fillimi duket mjaftë premtues. Punonjësit e Taskë- Forcës në bashkëpunim të ngushtë me Administratorët e 11 Njësive Administrative dhe Ndërlidhësit me Komunitetin po gjejnë mirëkuptimin e qytetarëve për projektin e administrimit të pallateve.  Në fillim të nisjes së procesit, Projekti u paraqit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një takim me administratorët e Njësive Administrative, ndërlidhësit e komunitetit dhe punonjësit e Task- Forcës së krijuar me vendim të këshillit bashkiak për këtë qëllim. 14 grupet e kësaj Task-Force kanë nisur zbatimin në terren të këtij projekti, i cili vjen jo vetëm si nevojë për t’i dhënë zgjidhje problemeve të banorëve të pallateve, por edhe si një detyrim që buron nga ligji që është në fuqi.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi zgjedhjen e asambleve dhe administratorëve si të një rëndësie të veçantë për komunitetet, pasi ato do të luajnë rolin e ndërmjetësit mes banorëve dhe pushtetit vendor për të zgjidhur çdo problematikë dhe mosmarrëveshje.

Duke shprehur bindjen se është detyrë e bashkisë që ta hapë edhe këtë betejë me realitetin dhe kulturën, qytetari i parë i Tiranës e konsideron zbatimin e këtij projekti një sfidë të jashtëzakonshme, të cilës, bashkë me stafin e tij ka vendosur t’i shkojë deri në fund për t’i dhënë zgjidhje një prej çështjeve më të mprehta, që pavarësisht përpjekjeve, asnjëherë nuk i është dhënë zgjidhje. Kryebashkiaku Veliaj ka bërë të qartë tashmë për opinionin publik se zgjidhja e këtij problemi ndikon direkt në jetën e përditshme të çdo qytetari të Tiranës, pasi kështu do të kenë mundësi dhe një vend ku mund të ankohen, por edhe të diskutojnë për të zgjidhur çdo shqetësim që vjen nga jetesa në komunitet.

Realizimi fillimisht si Projekt-pilot në Njësitë 5 dhe 10 ku drejtojnë me përkushtim e profesionalizëm administratorët Violeta Kila e Arjan Hamiti tregoi se ka sukses, pra qytetarët e mirëpresin projektin. Gjithashtu, kryetari i bashkisë ka bërë të qartë se ky projekt përveç përfitimeve që sjell në aspektin e menaxhimit të problematikës së banorëve të pallatit, është edhe një mundësi e mirë punësimi për të gjithë ata që do të zgjidhen administratorë të pallateve.

Brenda 2017 rreth 5 mijë pallate të Tiranës me administratorë

Drejtori i Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi dhe Zhvillimit të Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësitë Administrative në bashkinë e kryeqytetit, Admir Abrija, si drejtues i Projektit, ka tashmë një platformë të qartë që konsiston në pajisjen  brenda vitit të ardhshëm të 5 mijë pallateve të Tiranës me administratorë ose kujdestarët e tyre. Ai flet për numra, flet për rreth 3500 punonjës që do të shërbejnë në këtë sektor, të cilët do t’u vijnë në ndihmë më shumë se 500.000 qytetarëve të Tiranës. Në optikën e këtij intelektuali të mirënjohur, me një përvojë të admirueshme të fituar në drejtimin e disa institucioneve ligjzbatuese: “Një qytet pa këta kujdestarë, është si një shkollë pa mësues, një kopsht pa edukatore apo një çerdhe pa kujdestare për të vegjlit” .

Abrija, një prej figurave të shquara intelektuale, si përfaqësues i gjeneratës së re, e përjeton këtë sfidë edhe si një reflektim të veprimtarisë së tij të gjatë, të angazhimit të tij  të gjerë e të ngjeshur në disa sektorë të rëndësishëm, në kontekst me  shoqërinë, kohën dhe terrenin ku po zbatohet projekti, por edhe me një rreze largpamësie, vizioni e reflektimi që e bën atë një vegimtar e protagonist të pararojës së shndërrimeve e progresit të jetës e shoqërisë shqiptare. Puna për realizimin e projektit, nën drejtimin e tij, ka nisur nëpërmjet një bashkëpunimi efikas dhe efiçent ndërmjet bashkisë qendër dhe Njësive Administrative. Ndërkohë nga strukturat zbatuese projekti është konceptuar si një proces kompleks dhe gjithëpërfshirës.

Referuar letrës që kryetari i bashkisë,  z.Veliaj u ka drejtuar qytetarëve të Tiranës, Abrija shpreh bindjen se, zgjidhja e çështjes së bashkëpronësisë do të sjellë një përmirësim të dukshëm, si në përditshmërinë e qytetarëve, ashtu edhe në ruajtjen e ambienteve të përbashkëta.

Jetëzimi i Projektit të Bashkëpronësisë, si dhe i dhjetëra projekteve madhore që janë realizuar e po realizohen në metropolin shqiptar janë treguesi më sinjifikativ i mbajtjes së premtimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili gjatë 18 muajve të të ushtrimit të funksionit të tij po tregon që në themel të punës ka përkushtimin dhe idealizmin për Tiranën metropolitane. Kësisoj, Bashkia e kryeqytetit, po shpreh vullnetin për të progresuar karshi mundësive dhe potencialeve që ka. Ndërkohë, jetëzimi i këtij projekti përforcon bindjen e qytetarëve se Erion Veliaj është kryebashkiaku që po realizon ndryshimin cilësor të Tiranës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?