Situatë alarmante me flakët në Gojan, digjen 4 banesa dhe evakuohen banorët
Situata e zjarreve në zonën e Pukës vijon të jetë kritike. Në fshatin Gojan i Madh, flakët janë përhapur pranë zonave të banuara, duke shkaktuar djegien e 4 banesave dhe duke rrezikuar shkollën e fshatit, si edhe shtyllat e tensionit të lartë.
Eksperti i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror (PPNEA), Aleksandër Trajçe, i cili ndodhet në terren, e ka cilësuar situatën si “apokaliptike”. Sipas tij, përballë përmasave të zjarrit, ndërhyrja e vetëm një helikopteri dhe një mjeti zjarrfikës nuk është e mjaftueshme.
Trajçe paralajmëroi se flakët kanë përfshirë një zonë të gjerë të masivit malor të Tërbunit dhe Kuzhnenit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje dhe biodiversitet.
Sipas ekspertit, kafshë të egra, përfshirë lepuj dhe derra të egër, janë parë duke u larguar nga zonat e përfshira nga zjarri. Ai tha se rrezikohet një masiv pyjor prej rreth 30 mijë hektarësh, i mbrojtur prej dekadash. Trajçe kërkoi shtimin e forcave në terren dhe ndërhyrje më të madhe nga ajri, me qëllim frenimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pasurisë natyrore të zonës.
Ministria e Mbrojtjes bëri se në Gojan-Gjegjan, Pukë situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Në terren janë 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake dhe 50 vullnetarë, të mbështetur nga 40 efektivë të FA-së, 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë. Mjetet janë stacionuar në pikat me rrezik riaktivizimi për ndërhyrje të menjëhershme.
KOHA JONË SONDAZH


