Transgjinorja: “Për të blerë dozën ditore të drogës, dola në rrugë si punonjëse seksi”
Përdoruese droge, punonjëse seksi dhe historia e saj e trishtë. Ajo është transgjinorja e vetëquajtur me emrin Anxhela. Braktisja nga dy prindërit, i ka kushtuar asaj jetesën nëpër rrugët e Tiranës. Me origjinë, Anxhela është nga qyteti i Shkodrës. Ajo tregon historinë e dy rasteve të përdhunimit të saj. ajo thotë se është përdhunuar që kur ishte në moshën 9-vjeçare nga burri i sanitares në spitalin e Shkodrës. Më tej ajo thotë se është një përdoruese e rregullt e lëndës narkotike që kur ishte 15 vjeçe, prej vitit 2000. Fillimisht, Anxhela tregon se ka konsumuar kanabis sativa e më tej ka përfunduar tek metadoni. Po ashtu, ajo thotë se për të siguruar drogën u bë një punonjëse seksi, ku me lekët që fitonte blinte lëndën narkotike.
Anxhela, mund të na tregoni mbi historinë tuaj personale?
Është një histori shumë e vështirë, pasi kam kaluar shumë keq. Unë në fillim kam qenë në spitalin e Pediatrisë në Shkodër, më ka mbajtur një drejtoreshë atje. Në moshën 11 vjeçe unë kam ardhur në Tiranë, pasi më sollën ata të spitalit të Shkodrës, pasi isha me probleme. Unë jam përdhunuar në dy raste. Një herë ka qenë burri i sanitares në spitalin e Pediatrisë në Shkodër. Çdo pasdite, aty fëmijët i dërgonin të luanin apo flinin gjumë. Skenën kur unë jam përdhunuar për herë të parë e kanë parë të gjithë ata që ishin atje dhe kanë bërë menjëherë denoncim në polici.
Sa vjeçe ishe kur je përdhunuar për herë të parë?
Momentalisht unë jam 32 vjeç dhe, kur burri sanitares ka abuzuar me mua kam qenë 9 vjeçe. Ndërsa jam përdhunuar edhe një herë tjetër këtu në Tiranë. Nuk kisha shumë kohë që kisha ardhur. Kur më solli spitali i Shkodrës këtu në Tiranë unë isha 11 vjeçe dhe jam përdhunuar kur isha 12 vjeçe.
Nga kush je abuzuar?
Ka qenë një endacak, dilte lypte nëpër rrugë. Tek spitali Onkologjik këtu në Tiranë, ka qenë një tunel dhe aty kishte shumë dhoma që nuk përdoreshin nga askush. Por ky më njihte mua se unë aty qëndroja, në atë zonë dhe kishte mësuar që unë pija shumë lëngje me gaz. Dhe një ditë ai më kishte blerë një të tillë dhe më thirri që të ma jepte. Por brenda saj kishte hedhur 20 kokrra valiumi që mua të më zinte gjumi. Unë duke mos ditur gjë, e mora e piva dhe filluan të më merreshin mend. Ky më ka marrë pastaj dhe më ka mbajtur për disa ditë me radhë të lidhur në një dhomë të fshehtë në atë zonë. Ai më mbante këmbë e duar të lidhur, por nuk më linte asnjëherë pa ngrenë. Një nga rojet e spitalit e kishte parë që ai futej çdo ditë me qese në duar dhe kishte dyshuar. E kishte ndjekur dhe më zbuloi mua që mbahesha e lidhur. Pa kaluar pak kohë erdhi policia dhe më ka gjetur të lidhur. Unë nuk largohesha nga zona e spitalit dhe disa gra aty kishin dyshuar për mua se ku kisha shkuar. Pas kësaj ata më kanë shtruar për dy javë në spital derisa u shërova.
Thua që ke ardhur në Tiranë në një moshë të vogël, ku qëndron?
Kam qëndruar në spitalin e fëmijëve. Më pas kam dalë, rrija rrugëve se nuk kisha vend tjetër.
Po me familjen tënde, takohesh?
Jo, nuk kam asnjë lidhje me ta. Ata as nuk e dinë se si jam unë. Vetëm një herë, disa kohë më parë nëna ime ka ardhur për të më shikuar. Tani thonë që ajo është martuar dhe ndodhet jashtë shtetit. Unë vet nuk kam asnjë dijeni për të. Kurse babai më ka vdekur. Për gjitha këto gjëra që kanë ndodhur, ai është fajtori. Ai e rrihte mamanë time, e bënte të vdekur dhe ajo zgjodhi një rrugë tjetër.
A ke konsumuar ndonjëherë lëndë narkotike?
Kam nisur të konsumoja që në moshën 15 vjeç. Ishte kurioziteti më tepër që më shtyu të provoja lëndën narkotike. Në vendin ku unë qëndroja, te spitali, kam zënë dy shoqe të tjera transgjinore. I shikoja që pinin gjithmonë dhe që flinin shumë. E mendoja me vete, se pse flinin kaq shumë gjumë. Për kuriozitet i thash atyre shoqeve që doja ta provoja edhe unë. Jo thoshin ato se do të krijosh varësi. E fillova unë të pija lëndë narkotike dh, pas një muaji më kanë nisur dhimbje të mëdha në trup. Nuk kisha ç’të bëja, pasi s’kisha para për të blerë drogën.
Po si arrije ta blije?
Pas një muaji kur e provova lëndën narkotike, jam zënë pak ngushtë. Nuk dija ç’të bëja dhe jam veshur si trans e dola të punoja si punonjëse seksi. Si përfundim kam dalë rrugëve të Tiranës në çdo kohë, vetëm që të siguroja lekët për të blerë lëndën narkotike, pasi nuk mund të rrija pa e konsumuar. Unë atë kohë rrija pas konviktit të vajzave të fakultetit të mjekësisë, aty ishin disa furgonë të prishur. Një shoqja ime ka vdekur aty, nga droga. Fillimisht unë kam konsumuar kanabis sativa. Një dozë të tillë unë e blija 1500 lekë, ndërsa tani ka edhe 1000 lekë një dozë. Ndërsa më vonë kam filluar të konsumoj edhe metadon. Një gjysmë grami unë e blej 1500 lekë. Çmimet e tyre janë të ndryshme.
Ku e merrje lëndën narkotike?
I kam gjetur numrat e telefonit shitësve dhe i marr në telefon. Por, asnjëherë unë nuk i them që dua drogë. Gjithmonë ne flasim me kode të ndryshme. I them më sill një CD, një herë tjetër i them më sill një palë çizme, një shall, një rrobë. Si këto ka edhe shumë kode të tjera mes nesh. Unë ende vijoj të jem një punonjëse seksi për të siguruar para vetëm për drogën. Nuk kam çfarë bëj asgjë tjetër. Më përpara ka pasur shumë lekë te punonjëset e seksit, por tani ka rënë pas. Atëherë mund të fitoje 5 mijë lekë në natë dhe, të gjitha këto shkonin tek droga. Merrja katër, ose pesë doza në ditë dhe i pija se nuk kisha ku t’i çoja, ditën tjetër do të dilja prapë. Ndërsa tani, një ditë pune kushton më pak, sepse kanë dalë punonjëse të reja. Maksimumi mund të paguhesh 2 mijë lekë në natë dhe nuk ka shumë punë.
Si arrini t’i gjeni klientët?
Klientët i gjejmë në rrugë. Vishemi në mënyrë ekstravagante që atyre i bën përshtypje. Unë vet më tepër preferoj minifundet dhe xhinset e shkurtra. Por tani kemi zgjedhur edhe rrjetin social “Facebook”, sepse ka që punojnë edhe aty. Bëjmë fotografi të ndryshme dhe i hedhim aty. Klientët na gjejnë, na kontaktojmë dhe takohemi. Tani në kohët e fundit, kjo metodë po përdoret nga ana jonë, pasi është më thjeshtë dhe nuk përballesh me paragjykime të njerëzve në rrugë.
Cilat janë paragjykimet që je përballur në rrugët e kryeqytetit?
Paragjykimet ndaj nesh janë të shumta, nuk kanë të numëruar. Unë kam shumë vite që qëndroj këtu në Tiranë dhe, janë përballur me paragjykime nga më të ndryshmet. Por nuk e kam vrarë shumë mendjen, pasi e di se kujt i përkas dhe kam shikuar punën time. Vite më përpara nuk guxoje të dilje në rrugë se përballeshe me fjalët e njerëzve, me fyerjet e tyre nga më të ndryshmet. Por ato nuk është se kanë lënë ndonjë shenjë te unë. Gjithsecili ka respektin e tij dhe mund ta përdorë ku të dojë. Ndërsa tani, kanë rënë shumë paragjykimet ndaj transeve. Mund të dalësh në rrugë për qejfin tënd dhe nuk të luan njeri. Njerëzit kanë marrë një kulturë tjetër dhe nuk thonë më fjalë të ashpra ndaj nesh.
Po tani ku jeton?
Rrugëve të Tiranës jetoj, nuk kam nga të shkoj tjetër. Tani rri me një cep aty tek Parlamenti, ditë-natë. Nuk kam ku të shkoj në asnjë vend tjetër. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, mundohemi punojnë rrugëve vet që ushqehemi sadopak si gjithë të tjerët.
Të ka kërkuar ndonjëherë familja jote?
Jo, asnjëherë. Madje ata nuk e dinë fare se ku rri, se çfarë bëj dhe si jam bërë. Ata, që kur kam qenë e vogël, nuk më kanë dashur. Mami u nda nga babi dhe se di fare se çfarë bën tani. Babi më ka vdekur dhe unë jam këtej. Askush nga ata nuk është se ka pyetur për mua dhe më mirë kështu, pasi e nxjerr vet veten time në dritë.
Pse ndodhesh në qendrën “Aksion Plus”?
Po vij këtu për shkak se jam përdoruese e rregullt e drogës. Mirë që kemi këtë që na ka ndihmuar, sepse nuk do të ishim në këtë ditë sot. Unë vij rregullisht këtu për të marrë trajtim mbi konsumimin e lëndës narkotike. Kam nisur të konsumoj drogë që në moshën 15-vjeçare dhe kam krijuar varësi ndaj saj. Tani unë konsumoj metadon. Në vitin 2007 unë kam ardhur për herë të parë në këtë qendër dhe kam nisur trajtimin. Nuk jam shkëputur asnjë ditë dhe kam shenja të mira, pavarësisht se vazhdoj ta konsumoj. Kemi pasur një mbështetje të madhe nga ana e drejtorit të kësaj qendre. Vij këtu, marr kurën dhe largohen në punën time./Shekulli/

