Trump fton edhe Ramën, ja kush është pjesë e Bordit të Paqes për qeverisjen e Gazës
Kryeministri Edi Rama është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e cila do të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës. Shtëpia e Bardhë ka publikuar emrat e anëtarëve që do të formojnë “Bordin e Paqes” për Gazën, një strukturë e re e administratës Trump.
Bordi Ekzekutiv themelues do të mbikëqyrë punën e një komiteti teknokratësh të ngarkuar me qeverisjen e përkohshme të Gazës dhe rindërtimin e saj.
Kush bën pjesë në Bordin Ekzekutiv themelues?
Ish-kryeministri britanik, Sir Tony Blair ishte përmendur prej kohësh si një kandidat i mundshëm për “Bordin e Paqes” të Trumpit, me vetë presidentin amerikan që kishte konfirmuar që në shtator se Blair kishte shprehur interes për t’u bashkuar me këtë organ.
Si Sekretar i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio është figurë qendrore në qasjen e administratës Trump ndaj politikës së jashtme. I dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, një manjat i pasurive të paluajtshme dhe partner golfi i Trumpit, do të jetë gjithashtu pjesë e bordit..
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat e politikës së jashtme të administratës Trump. Së bashku me Witkoff, Kushner ka vepruar shpesh si ndërmjetës amerikan në luftërat Rusi–Ukrainë dhe Izrael–Gaza.
Miliarderi Marc Rowan është drejtues ekzekutiv i Apollo Global Management, një firmë e madhe investimesh private me seli në Nju Jork. Rowan ishte konsideruar si kandidat për postin e sekretarit të Thesarit të SHBA-së për mandatin e dytë të Trumpit. Ajay Banga, president i Bankës Botërore, ka këshilluar një sërë politikanësh të lartë amerikanë, përfshirë presidentin Barack Obama, gjatë karrierës së tij të gjatë.
Robert Gabriel, këshilltar amerikan për sigurinë kombëtare, do të jetë anëtari i fundit i Bordit Ekzekutiv themelues. Gabriel ka punuar me Trumpin që nga fushata presidenciale e vitit 2016 dhe, sipas PBS, pak më pas u bë asistent special i Stephen Millerit, një tjetër këshilltar kyç aktual i Trumpit. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet gjithashtu se Nickolay Mladenov, politikan bullgar dhe ish-i dërguar i OKB-së për Lindjen e Mesme, do të jetë përfaqësuesi i bordit në terren në Gaza.
Ai do të mbikëqyrë një komitet të veçantë teknokratësh palestinezë me 15 anëtarë, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), i ngarkuar me menaxhimin e qeverisjes së përditshme të Gazës pas luftës. NCAG do të drejtohet nga Ali Shaath, ish-zëvendësministër në Autoritetin Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar që nuk janë nën kontrollin izraelit.
Do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe disa të tjerë.
Fill pas bërjes zyrtare të Ramës, ky i fundit ka reaguar me një status ku shkruan:
SHUMË I NDERUAR NGA FTESA PERSONALE E PRESIDENTIT TRUMP, PËR TA PËRFAQËSUAR SHQIPËRINË NË BORDIN E PAQES, NJË ORGANIZATË E RE NDËRKOMBËTARE E IDEUAR PREJ TIJ, KU SHQIPËRIA FTOHET SI ANËTAR THEMELUES, DUKE NGJITUR KËSHTU NDËRKOMBËTARISHT NJË TJETËR MAJË KREJT TË PAIMAGJINUESHME VETËM DERI PAK VITE MË PARË.
NUK MUND TË JEM DOT MË KRENAR PËR SHQIPËRINË, PËR GJITHÇKA KEMI BËRË NË KËTO VITE DUKE E KTHYER NË NJË SHQIPËRI TJETËR, TË DINJITETSHME E TË RESPEKTUAR BOTËRISHT SI ASNJËHERË, E PADISKUTIM EDHE PËR NIVELIN KU E KEMI NGRITUR MARRËDHËNIEN E PARTNERITETIT TONË STRATEGJIK ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, DUKE U FTUAR ME NJË RESPEKT E VLERËSIM KREJT TË POSAÇËM NGA PRESIDENTI DONALD J. TRUMP, PËR T’U BËRË PJESË E NJË BORDI NDËRKOMBËTAR TË KRIJUAR E KRYESUAR PREJ ATIJ VETË DHE PËR TË PUNUAR SË BASHKU ME TË.
THANK YOU MR.PRESIDENT
GOD BLESS ALBANIA AND THE UNITED STATES/Edi Rama/
KOHA JONË SONDAZH

