Turizmi pas shpinës së Blendi Fevziut
Me Blendin (Fevziun) jemi miq të vjeter prej shume vitesh. Dikur takoheshim shpesh, sot me rrallë. Emisionet në Opinion i ndjek, edhe mund te them se pas kaq shume vitesh në ekran përsëri ka mbetur një prej më të mirëve.
Ka ca kohë që Blendi ka filluar të promovojë Shqipërinë turistike. Gjatë periudhes së verës viziton dhe promovon vise dhe pejsazhe pak të shkelura me parë, kryesisht për një publik shqiptar. Promovimi i tyre prej një gazetari te njohur si Blendi sigurisht sjell një vëmendje më të shtuar. Ai ka një ndikim më të madh në këtë fushë për vetë faktin se ka një numër të konsiderueshëm që e ndjekin në rrjetet sociale.
Për këtë arsye po i shkruaj edhe unë disa rreshta për vizitat e Blendit në Shqipërinë turistike.
Disa ditë më parë e pashë tek promovonte Pazarin e Gjinokastres. Një monument i veçante në llojin e vet. Blendi tek qendronte aty ky kryqezohen udhet e Pazarit, me pasion tregonte numrin e madh te vizitorëve që silleshin verdallë duke bërë foto apo duke parë vitrinat e dyqaneve. Por edhe pse Blendi e promovoi mjaftueshem Pazarin, pas shpines së tij morinë e dyqaneve te vogla i la në heshtje. Ndoshta se nuk kishte çfare të thoshte për ato që pa në vitrinat e tyre.
Pazari i Gjinokastresështë restauruar vitet e fundit nga një fond i Qeverisë Shqiptare dhe Fondi Shqiptaro Amerikan AADF. Restaurimet kanë bërë të mundur rikthimin në jetë të një pjese të veçantë të arkitektures së qytetit. Pazari duket me të vertetë i ringjallur dhe plot gjalleri. ( Megjithëse duhet thënë se Pazari u restaurua edhe në perudhen e Berishes se II-të me një fond prej 6 milion euro. Çfarë u bë me këto fonde, a ishin me të vertetë restaurime apo jo ende, sot ka mbetur mister. Në 2013 u premtua se ky investim prej 6 milion eurosh në Pazar do të hulumtohej dhe përgjegjesit do te shkonin para drejtesisë. Se çu bë me këtë premtim dhe ku shkuan ato 6 milion euro askush nuk di me shumë). Gjithsesi tema e këtij shenimi nuk është restaurimi i Pazarit, por Manaxhimi i tij. Çdo vit me grupe te ndryshme e vizitoj Pazarin jo vetem si pjesë e atraksionit, por edhe se një pjesë të dyqanxhinjve i njoh. Pazari i Gjinokastres përpos emrit që ka dhe tërheqjes se kuptueshme nga vizitorët është një pasyre tipike e turizmit shqiptar. Fasadë e bukur me mallra te rreme. Në pjesen më të madhe të këtij Pazari tregtohet “artizanat” prodhuar në Turqi apo Kinë. Janë prodhime kitch, të lira, pa shije, pa shpirt artistik dhe pa asnjë lidhje me artizanatin e dikurshem shqiptar.
Një dru punues në një qoshe të Pazarit, një gur punues dhe nja dy lesh punues të cilet mezi mbajnë veten nuk mund te jenë përfaqësuesit e artizanatit në Jugun shqiptar.
Pazari si kompleks administrohet nga një organizate e krijuar nga AADF (Fondi shqiptaro amerikan). Imagjinoni për një çast sikur me të vertetë ky Fond ( te cilit po i jepet në administrim edhe Butrinti) do të donin/dinin si ta bënin këtë Pazar një qender të rendesishme të artit shqiptar. Imagjinoni në se dikush do të ishte me të vertetë serioz për të risjellë artin e mrekullueshem te artizanatit shqiptar çfarë mundesie të artë i sjellin numrat e turisteve që vinë verdallë duke pare kitchin Turko/Kinez në Gjinokaster.
Imagjinoni për nje çast fondet që shpenzohen për argetime apo “koncerte” banale si “Tekno Ceco”, “Gjyshet ne F’est”, “Fustanella Pala pala”, “Gliko me Arra” apo sheqerna te këtij lloji të jepeshin për mbeshtetjen e artizaneve të Jugut?. Po sikur arti i çdo artizani në Jug do të mbështetej financiarisht dhe do të ekspozohej në Pazarin e Gjinokastres përballë një publiku që sa vjen dhe rritet? Po sikur dikujt që ka vulen në dorë ti shkonte mendja dhe të ndalonte çdo prodhim kitch Turko/Kinez të shitej në Pazarin e Gjinokastres? Po sikur hapsira e mbushur me banalitete të prodhuara në provincat e largeta të Kines ti jepej artizaneve dhe fshatarëve të Jugut te Shqipërisë për prodhimet e tyre? Po sikur në një nga godinat e restauruara të hapej një shkollë artizanati ku të rinjte të mësonin artin e tradites së Jugut? Po sikur veshjet e shtrenjta të malesorëve të Jugut të ringjalleshin përsëri dhe te lakmoheshin si dikur nga artistë dhe poetë europianë?
Artizanati i nderthurur me turizmin është pjesë e rëndësishme e ekonomive lokale. Shumë vende e kanë zhvilluar duke e shtrirë në një sistem kapilar i cili krijon mundesi të arta punesimi, zhvillim ekonomik rural por edhe ruajtjen e tradites kulturore. Vlerë kjo shumë e rëndësishme në turizmin kulturor.
Për të mos shpikur rroten ka plot modele nga ku mund te marrim dhe ta zhvillojme jo vetëm në Pazarin e mrekullueshem te Gjinokastres por edhe atë të Shkodres, qendra e dikurshme e artizanatit ballkanik. Ringritja e artizanatit tani që turizmi po mer nje zhvillim te dukshem është një nevojë urgjente jo vetem si një mundesi ekonomike por edhe si shprehje e artit dhe trashegimise kombetare. Me shumë pak fonde dhe me shume dashuri ky Pazar mund te ringjallet shpirterisht ashtu siç u ngjall është fizikisht.
Në këtë mënyrë Pazari i Gjinokastres nuk do të jetë më një fasadë me mallrat e rreme por një vitrine e kultures shqiptare të cilen Blendi Fevziu mund ta promovojë çdo sezon veror pa ju shmangur dyqaneve te vogla pas shpines se tij.