”U tjetërsua vota”, Çala: LSI në Pogradec është dëmtuar së paku në 60% të rezultatit të saj elektoral

Gentian Çala, kandidat për deputet i LSI-së në Pogradec, i cili po ndjek procesin e numërimit të votave për kandidatët, flet për tjetërsim të votës së LSI në 60% të rezultatit të saj. LSI-ja nuk arriti të marrë asnjë mandat në qarkun e Korçës.

“Në qarkun e Korçës numërimi i votave në disa prej bashkive ka përfunduar, ndërsa në Pogradec filloi me vonesë pasi pati pengesa të panevojshme. Nuk e di sesi mund të rrijë KZAZ pa zarfe, kemi pritur dy orë ardhjen e zarfeve.

Përveç kësaj kemi pasur disa parregullësi në kuti për të cilat është bërë ankimi i nevojshëm dhe besoj se do të dërgohen në KQZ. Duhet të ndiqet dhe shikohet pse kanë qenë këto parregullsi. Numërimi ka qenë kryesisht korrekt.

Për fat të keq besoj se vota në Pogradec u tjetërsua. LSI është shumë larg asaj që kishte pritshmëri dhe projeksionet e veta të votës, vetëm në kontakte me njerëzit ishin disa mijëra që kalon mbi dyfishin e asaj që morëm rezultat.

Kjo tregon se ende Shqipëria ka një problem shumë të madh me votën dhe tjetërsimin e saj që duket se pushteti ja doli me forma të ndryshme ta tjetërsojë atë, qoftë me intimidimin e njerëzve apo mënyra të tjera krejtësisht të paligjshme. LSI në Pogradec është dëmtuar së paku në 60% të rezultatit të saj elektoral”.

SHKARKO APP