Vasili: Rama të publikojë listën e bizneseve dhe qytetarëve që kanë marrë ndihma, ndryshe gjithçka është mashtrim

Në një postim në Facebook Petrit Vasili kërkon që kryeministri Edi Rama të bëjë publike listën e personave që kanë marrë ndihma. Nënkryetari i LSI shprehet se qeveria duhet të bëjë publike listën me ndihma për biznese, listën e qytetarëve që kanë përfituar, si dhe listën e atyre që kanë marrë “pagën e luftës”.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit në Facebook:

Trasparencë me paketat e ndihmës ose ndryshe gjithçka është vetëm mashtrim!

Çdo paketë ndihme për pasojat e Pandemisë realizohet vetëm e vetëm me paratë e taksave të shqiptarëve, që nuk janë paratë e kryeministrit apo të familjes së tij. Është detyrim ligjor që të bëhen publike përfituesit si dhe shumat financiare apo pakot e ndihmës së marrë.

1. Pse nuk bëhet publike lista e 163 811 familjet, që sipas kryeministrit kanë marrë pako me ndihma?

2. Pse nuk bëhet publike permbajtja e pakove ushqimore çuar këtyre familjeve?

3. Pse nuk bëhen publike barnat e çuara në këto familje si dhe mënyra se si kanë mundur që të dinë se për ç’barna ka nevojë secila familje specikisht nga 163811 familjet përfituese?

4. Pse nuk bëhet publike lista e bisneseve përfituese të mbështetjes financiare si dhe shuma e përfituar nga çdo biznes?

5. Pse nuk bëhet publike lista e qytetarëve që kanë përfituar të ashtuquajturën “paga e luftës”?

Për sa kohë që këto lista nuk bëhen publike gjithçka mbetet një mashtrim dhe shpërdorim fondesh.

Rilindja “kujdeset” me merak të madh të vërë në dukje publikisht emrat e deputetëve mbi pakot e ndihmave apo të tregojë kryetarë bashkie, që ndajnë vulgarisht me kamera përpara qeset e ndihmave.

Paratë e shtetit nuk janë sevapi i kryeministrit për shqiptarët, por paratë e djersës së tyre.

Ndaj transparenca është detyrim ligjor, i cili në rast të mospërmbushjes ngarkon penalisht kryeministrin dhe qeverinë e tij.

 

SHKARKO APP