Petrit Vasili: SHBA kërkon arrestimin e baronit të drogës, Klement Balili

Pas akuzave të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri sot ndaj Presidentit, Bujar Nishani për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen e “Eskobarit te Ballkanit”, Klement Balili ka reaguar ashpër Lëvizja Socialiste për Integrim.

Nga qyteti i Beratit, Tahiri kritikoi Presidentin për motivet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë. Në fakt, kritikat e Tahirit indirekt ishin për kreun e Kuvendit dhe LSI, Ilir Meta.

Ishte Kryetari i parlamentit dhe kreu i LSI, Ilir Meta që sapo u kthye nga SHBA ku bëri vizita në Kongresin dhe Senatin Amerikan deri në nivelet më të larta, ai që bëri kërkesë zyrtare drejtuar Kryetarit të Shtetit Nishani për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Motivi i mbledhjes ishte i qartë. Institucionet ligjzbatuese duhet të shpjegojnë se përse nuk arrestohet Klement Balili?

Swiss Digital Desktop Reklama

Kërkesës së Ilir Metës iu përgjigj me porosi nga Kryeministri, pikërisht zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj. Zëvendësi i Manjanit, përpiqej të argumentonte ‘juridikisht’ se gjoja nuk mund të mblidhet Këshilli i Sigurisë për një individ.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po kështu, sot nga qyteti i Beratit reagoi edhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministri tha se “opinioni ishte i çuditur nga kërkesa për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare” që u kërkua nga kryetari i Kuvendit. Ministri Tahiri i ra Presidentit për këtë çështje, por në thelb e kishte me kryetarin e Kuvendit. Por nuk guxoi ta përmende me emër Metën.

Ky qëndrim i përfaqësuesve të PS në qeveri, ka sjellë reagimin e Petrit Vasilit sot në mesditë. Vasili doli dhe tha prerë se kjo është një kërkesë amerikane e formës së prerë. Valsi tha se gjatë vizitës në SHBA i është kërkuar Kryetarit të Kuvendit në Uashington që të ndikojë tek autoritetet shqiptare për të bërë arrestimin e “Eskobarit te Ballkanit”, Klement Halili.

Gjatë vizitës në SHBA, isha i pranishëm në një takim të zotit Meta me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, ambasadorin William Brownfield që shprehur vlerësimin për bashkëpunimin në reformën në drejtësi. I vetmi shqetësimi që ambasadori Brownfield ngriti në këtë takim ishte mosndalimi i Klement Balilit dhe ambasadori i kërkoi zotit Meta të nxiste autoritetet shqiptare për të bërë gjithçka. Gjithashtu kemi të freskët reagimin e Ambasadorit Amerikan në Tiranë, zotit Donald Lu, i cili para 2 javësh ka pasur ide të qarta për këtë çështje lidhur me mos arrestimin e Klement Balilit. Reagimi i Kreut të Kuvendit, zotit Meta ka qenë mjaft pozitiv”,- deklaroi Vasili.

Petrit Vasili tha se nuk mund të anashkalohet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasi Ilir Meta ka kërkuar zyrtarisht sqarime se pse nuk arrestohet ky trafikant droge.

Prononcimi i plotë për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili: 

Doja të prononcohesha në radhë të parë lidhur me procesin e sotëm që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë për hedhjen e shortit për Këshillim e Emërimeve në Drejtësi si anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi.

Sigurisht, sot jam ndier shumë i kënaqur që starton me një transparencë të plotë, krejtësisht e hapur në sytë publikut, në prezencë të të gjithë aktorëve të interesuar, por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, procesi i hedhjes së shortit.

Pra, starton ajo reformë e shumëpritur dhe starton me një ogur të mirë, me ogurin e transparencës, e cila e fut në rrugën e duhur këtë proces, pasi transparenca është besoj dimensioni më i mirë dhe vital që mund t’i japi jetë kësaj reforme.

Sigurisht, besoj shumë edhe në ecurinë e mëtejshme po në këtë mënyrë, pra me transparencë dhe me konstruktivitet, pasi zhvillime të tjera reforma do të ketë, ashtu sikurse janë planifikuar, por veprimi i shpejtë i sotëm dhe mënyra e të vepruarit në përputhje të plotë me ligjin, por edhe krejtësisht e hapur ndaj publikut, na bën të jemi të lumtur që reforma në drejtësi ka hyrë me këmbën e duhur dhe sigurisht këtë kisha kënaqësi ta ndaja me ju.

Pasi sigurisht fillimi i procesit është gjithmonë një fillim i vështirë, por kur ai fillon mirë, sigurisht është një kënaqësi më shumë edhe për arsyen e përfshirjes së gjatë të mjaft njerëzve, por edhe timen personalisht në këtë proces në emër të LSI-së.

Pyetje nga gazetarët: Z. Vasili, në fillim të javës Kryetari i Kuvendit i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”. Ndërkohë kemi pasur zëra të tjerë, edhe sot të cilët nuk e kanë pranuar për t’u mbledhur Këshilli i Sigurisë, madje edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se nuk u mblodh Këshilli i Sigurisë për Lazaratit. Cili është qëndrimi i LSI-së, për më tepër që edhe Kryetari i Kuvendit është nga radhët e LSI-së?

Petrit Vasili: Se cilat janë reagimet lidhur me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit nuk besoj se ka nevojë të bëj komente, po ja lë publikut të gjerë që t’i vlerësojë se cilat janë këto komente, edhe motivet pse bëhen.

Po përsa i takon çështjes në fjalë, edhe rastësia është një ndihmë për mua, pasi unë pata mundësinë dhe fatin të isha i pranishëm në një takim të shkëlqyer që Kryetari i Kuvendit, z. Meta zhvilloi gjatë vizitës së fundit në SHBA, me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, që mbulon luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar, Ambasadorin William Brownfield, i cili shprehu satisfaksion shumë të madh për bashkëpunimin e mrekullueshëm që kishte ekzistuar për reformën në drejtësi. Realizimi me sukses të plotë i të cilës është në sytë e juaj, por sigurisht ishte një vlerësim maksimal dhe nga autoritetet më të lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Por i vetmi shqetësim që Ambasadori Brownfield ngriti në këtë takim, dhe si personi më i lartë përgjegjës në luftën kundër drogës në SHBA ishte mosndalimi i Klement Balilit. Dhe Ambasadori Brownfield qartësisht i kërkoi z. Meta që të nxiste autoritetet shqiptare që të bënin gjithçka për këtë çështje, pasi ky problem ishte një shqetësim të cilin ai e ngriti dhe ia kërkoi në mënyrë të qartë z. Meta, kërkoi mbështetjen e tij për të nxitur autoritetet.

Gjithashtu, në memorien tuaj është akoma e freskët që disa javë më parë Ambasadori i SHBA-ve, z. Lu ka pasur prononcime të qarta publike e shumë të hapura me shqetësimin për mosbashkëpunim midis institucioneve shqiptare dhe në raport me partnerët amerikanë të cilët kanë qenë shumë aktiv dhe në vijën e parë të ndjekjes së kësaj çështjeje lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit.

Pyetja logjike dhe e vetme që shtrohet është kjo: Cili do të ishte reagimi i Kryetarit të Kuvendit z. Meta pas një kërkese shumë të qarta të Ndihmës së Sekretarit të Shtetit Amerikan, por edhe prononcimeve të Ambasadorit të SHBA-ve? Përgjigja mund të ishte vetëm një dhe një përgjigje institucionale. Dhe institucioni i vetëm kushtetues që i grupon të gjitha autoritetet më të larta në fushën e sigurisë është Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe zgjidhjet do të ishin sigurisht institucionale dhe përgjigjet sigurisht do të ishin institucionale, pasi normalisht ky këshill ka të drejtën dhe tagrin të bëjë analizat dhe të nxjerrë përfundimet.

Sigurisht brenda përfundimeve dhe përgjegjësitë konkrete. Dhe z. Meta këtë ka bërë, ka bërë shumë mirë që e bëri këtë gjë dhe njëkohësisht në momentin që ndodhemi është në vlerësimin e Presidentit të Republikës për të aktivizuar apo jo Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe për të ndërtuar platformën e këtij takimi të këshillit, që përveçse do të nxisë pozitivisht dhënies përgjigjeje të një shqetësimi që ka kaluar oqeanin tashmë, do të ishte dhe një përgjigje shumë e mirë që edhe qytetarët shqiptarë e presin për çështje të tilla delikate, por me një rëndësi kaq të madhe siç është rasti në fjalë për të demonstruar edhe vullnet të fortë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe drogës në Shqipëri.

Pyetje: Pra, ju po thoni se z. Meta ia dërgoi këtë shkresë Presidentit të Republikës pasi mori mesazhin nga z. Brownfield?

Petrit Vasili: Besoj që përgjigja ime shumë e qartë; cila ishte nxitja, cili ishte shqetësimi amerikan i marrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe shqetësimi i Ambasadorit amerikan këtu në Tiranë ka qenë po kaq i qartë. Dhe besoj se ky qëndrim institucional është jo vetëm për t’u përshëndetur, por është edhe rruga ku duhet të hyjnë qëndrimet në Shqipëri, të cilët duhet të jenë institucionale dhe jo informale.

Pyetje: Diçka të fundit për reformën zgjedhore z. Vasili, pasi komisioni i posaçëm nuk po mblidhet. A do të ndërmarrë LSI-ja ndonjë nismë që të mund të ulen edhe dy forcat e tjera politike në tryezë për t’i dhënë zgjidhje ngërçit?

Petrit Vasili: Përsa i takon reformës zgjedhore, LSI-ja do të jetë gjithmonë gati sa herë që komisioni për reformën zgjedhore do të mblidhet, duke mbështetur propozimet dhe e gatshme të diskutojë edhe propozimet e të tjerëve. Pra, LSI do të jetë gjithmonë e gatshme 24 orë në 24, të gjithë të tjerët duhet të kenë besoj vullnet në mënyrë që ta zgjidhim edhe këtë çështje sa më parë pasi koha nuk pret.

Lexoni dhe:

Kreu i Kuvendit, Meta, letër Nishanit: Pse nuk arrestohet Balili?

Nishani aprovon Metën, do thërrasë Këshillin e Sigurisë për “Balilin”

Tahiri sulm Nishanit: Nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë për Lazaratin

LSI: Moskapja e Klement Balilit rëndon marrëdhënien me partnerët

Zv/ministri i Edi Ramës me “bidon benzine” dhe me shkrepse në dorë

Donald Lu: Mos arrestimi i Balilit dështim i policisë dhe drejtësisë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?