Veliaj: Bulevardi i Ri, qendra e dytë e gravitetit të Tiranës

Një tjetër projekt ambicioz i Bashkisë së Tiranës, ai për Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave në Bulevardin e Ri, ka nisur sot, fillimisht me përzgjedhjen e studios fituese të konkursit ndërkombëtar, të hapur për këtë qëllim.

Pesë studiot finaliste arkitekturore prezantuan sot vizionin e tyre për këtë projekt të rëndësishëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se me Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave çelet zyrtarisht një tjetër epokë e transformimit të Tiranës, që këtë herë do t’i japë një hov të ri zhvillimi anës tjetër të kryeqytetit, drejt Bulevardit të Ri.

“Bulevardin e Ri na bën të kuptojmë sa është rritur Tirana për 100 vite dhe sa e nevojshme ishte për qytetin zgjatimi i shtyllës së saj kurrizore. Është edhe një krahasim me 100 vitet e para, kur arkitektët italianë ose vizitorët e epokës fashiste, vinin në Tiranë dhe thoshin: ‘kemi parë qytete pa bulevard, por s’kemi parë kurrë një bulevard pa qytet’. Ndaj duam që ta adresojmë menjëherë këtë dhe bulevardi t’i bashkohet pjesës tjetër së qytetit. Bëhet fjalë për të balancuar Tiranën në anën veriore, për t’u siguruar që qyteti ka dy qendra graviteti: Sheshi ‘Skënderbej’, si hapësira që e mban në vend këtë simetri, dhe “Bulevardi i Ri” si përkufizimi i ëndrrës sonë për Tiranën e shekullit të dytë Kryeqytet”, deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë argumentoi se tashmë që po merr zgjidhje edhe çështja e akomodimit të turistëve, ka lindur një tjetër nevojë, ajo për hapësira të reja për aktivitete dhe konventa.

SHKARKO APP