Veliaj dhe Bes Kallaku festojnë Krishtlindjen duke u shërbyer njerëzve në nevojë (FOTO)

Bashkia e Tiranës ka zgjedhur të kalojë festën e Krishtlindjes duke u shërbyer njerëzve në nevojë. Ashtu siç është bërë traditë, mensat sociale të Bashkisë së Tiranës kanë ofruar sot një drekë festive për të gjithë ata të moshuar dhe njerëz në nevojë, që nuk kanë mundësi të festojnë si gjithë të tjerët.

Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, bashkë me aktorin e humorit Bes Kallaku ishin në mensën sociale në Laprakë, ku shërbyen ushqimin për të pranishmit.

“Ju uroj gëzuar Krishtlindjet, një vit të mbarë, shumë suksese dhe gjithë të mirat. Dua të falenderoj të gjithë ata që shërbejnë në këtë mensë sociale. Unë edhe Besi kemi ardhur këtu sepse është ditë feste, por e di që këtu ka njerëz që shërbejnë çdo ditë me dashuri, pasion e përkushtim. Besoj që të gjithë duhet të mësojmë nga ata që shërbejnë këtu sepse Tirana ka nevojë për më shumë shërbëtorë dhe për më pak udhëheqës”, deklaroi Veliaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke folur për çfarë është bërë deri më tani në Tiranë, Veliaj vuri theksin për më shumë solidaritet: “Ky ka qenë një vit shumë i mirë për Tiranën, kemi bërë shumë punë të mira. Kemi bërë shkolla, kopshte, çerdhe, kemi më shumë infrastrukturë, kanalizime, ujësjellësa, kënde lodrash, por unë besoj se gjëja më e rëndësishme në Tiranë duhet të jetë solidariteti mes njerëzve. Ndaj dhe unë shpresoj që të gjithë ata që dëgjojnë për këtë qendër, të gjithë ata që kanë qenë përfshirë sot në aktivitete sociale, në dreka sociale që janë shtruar për të gjithë njerëzit në nevojë, të kenë parasysh se më shumë sesa infrastruktura, në një qytet kaq të madh, me kaq shumë probleme, kemi nevojë për më shumë solidaritet”. Veliaj ftoi qytetarët t’i bashkohen nismave për t’i ardhur në ndihmë familjeve në nevojë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe aktori, Besart Kallaku theksoi se njeriu duhet të shërbejë çdo ditë për komunitetin dhe shoqërinë.

“Sot është ditë e veçantë, jo më kot iu bashkova edhe nismës së kryetarit që më mori edhe më tha: Sot duhet të shkojmë për një shërbim. Mirëpo, jo vetëm sot, por njeriu duhet të shërbejë çdo ditë. Krishtlindja nuk është vetëm sot, por sa herë dhuron dashuri, sa herë dhuron nga vetja, gjithmonë ka Krishtlindje”, tha Kallaku.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?