Veliaj fton ambasadat të investojnë në kënde lojërash në Tiranë
Nga një hapësirë zaptuar për parkime automjetesh, tashmë është kthyer në një kënd lojërash për fëmijët.
Bashkia e Tiranës me mbështetjen e Ambasadës Çeke përfundoi punën për këndin rekreativ në sheshin “Bajram Curri” që i përket njësisë nr 7. Sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj në këtë zonë mungonin hapësirat çlodhëse për banorët.
Erion Veliaj: “Ishim këtu vetëm para pak javësh dhe kjo hapësirë ishte një pirg i madh me dhera, një hapësirë komplet e degjeneruar; sot është një kënd fantastik”
Sipas Bashkisë së Tiranës ky është këndi i 25 i lojërave të ndërtuar në këto 2 vite.
Erjon Veliaj ftoi edhe përfaqësitë e tjera diplomatike që nën shembullin e Ambasadës Çeke, të kontribuojnë për ta çuar edhe më tej këtë projekt.
Erion Veliaj: “Do të doja që nën shembullin e ambasadës çeke, edhe të tjerë që duan të na japin një dorë, të ndajmë kostot, gjysmën Bashkia, gjysmën donatori, e të vazhdojmë kështu.”
Investimi për jetëzimin e sheshit “Bajram Curri” ka bërë të mundur rikualifikimin estetik të zonës, përmes shtimit të gjelbërimit, ndriçimit dhe ndërtimit të infrastrukturës çlodhëse për të rritur.

