Veliaj: Tirana, qyteti më i pastër në Europën Juglindore. Krenar për sa kemi arritur

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot planin strategjik të pastrimit të qytetit për 5 vitet e ardhshme, si vijim i bashkëpunimit të suksesshëm me Bashkinë e Veronës dhe kompaninë Eco Tirana.

Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se Tirana është një nga qytetet më të pastra në Ballkan dhe u shpreh krenar se kjo vihet në dukje edhe nga të huajt e shumtë që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

E kam zemrën plot mirënjohje për ju sepse sot Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore. Kjo vjen falë burrave dhe grave, e sidomos grave, që punojnë orar pa orar, qoftë për Vit të Ri, për Bajram, për Pashkë, çdo fundjavë, apo qoftë kur është ditë pushimi për të gjithë dhe një parti ka vendosur të bëjë protestë dhe ata sigurohen që çdo gjë të pastrohet në kohë rekord, e në 15 minuta Tirana kthehet në normalitet. Jam ndjerë vërtet krenar kur shumë delegacione, qofshin nga Komisioni Europian – kur të gjithë kryeministrat e Europës u mblodhën në Tiranë në dhjetor – apo në ngjarje të mëdha si finalja e UEFA Conference League ose në aktivitetet për Vitin e Rinisë dhe Vitin e Sporteve, pavarësisht se flasin gjuhë të ndryshme, pavarësisht se vijnë nga vende të ndryshme, pavarësisht se vijnë për aktivitete të ndryshme – disa për politikë, disa për sport, disa për muzikë – një gjë e thonë të gjithë njësoj: Tirana është kryeqyteti më i pastër që kanë qenë në këto vite”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se pastërtia e Tiranës është kartëvizita më e bukur e qytetit, sidomos për turistët e huaj që e vizitojnë çdo vit atë.

SHKARKO APP