Vetting-u, i jep fund tranzicionit në Shqipëri
Me këtë ligj do të vlerësohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; si dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Rivlerësimi do të përfshijë tre drejtime: vlerësimin e pasurisë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional…
Nga Lavdrim Lita
Plotësimi i kushteve për të qenë anëtar në klub është në një nga levat ndikuese që Bashkimi Europian përdor mbi vendet kandidate. Pas antarësimit në BE, fuqia e saj për të ndikuar në dinamikat e brendshme të një vendi anëtar reduktohet shumë dhe kjo justifikon në njëfarë mase aktivizimin e delegacioneve të BE-së në këtë fazë paraaderimi.
Për të përligjur këtë aktivizim përdoret precedenti i Rumanisë, ku ministrja Monika Makovei, e angazhuar për të reformuar sistemin e drejtësisë u shkarkua pas aderimit, apo rasti i Kroacisë ku fill pas aderimit në BE, qeveria kroate kërkoi të kufizonte mandatin e arrestit europian për të shpëtuar nga burgu Josip Perkovic, ish-drejtorin e shërbimit sekret kroat gjatë ekzistencës së Jugosllavisë.
Eksperienca e BE-së me vende si Rumania, Bullgaria apo së fundi edhe Kroacia, ka bërë që BE-ja të ndryshojë në strategjinë e zgjerimit renditjen e kapitujve negociues, pra, të fillojë me kapituj 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në qoftë se vendet anëtare nuk tregojnë progres në lidhje me këto kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht. Për këtë së fundmi është shembull Serbia e cila ka probleme me qëndrimin e Kroacisë për hapjen e negocimit të kapitullit 23 dhe 24, që sipas Zagrebit nuk janë përmbushur kriteret e luftës kundër kriminelëve të luftës.
Në Shqipëri së fundmi flitet për çelje negociatash dhe nisjen e një skanimi të legjislacionin përpara se të fillohet negocimi i kapitujve 23 reforma në drejtësi dhe 24 lufta ndaj krimit dhe korrupsionit. Këto dy kërkesa janë bërë çështje publike të një rëndësie parësore, kjo falë edhe pesë kërkesave të BE për hapjen e negociatave.
Si asnjë herë më parë komunitetit ndërkombëtar është i interesuar për Shqipërinë në kohë paqeje dhe normaliteti. Presidenti i SHBA Obama, sekretari amerikan i Shtetit Kerry, Presidenti i BE Tusk, kreu i KE Juncker, shefja e Politikës së Jashtme Mogherini dhe liderja politike dhe ekonomike e Europës Angela Merkel dhe dyzinë zyrtarësh të tjerë kanë shpenzuar fjalë pro reformës në drejtësi duke sinjalizuar një interes të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri. Fijet e padukshme të diktaturës do të këputen.
Sidomos ligji i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët i jep fund i jep fund tranzicionin dhe mungesës së llogaridhënies. Me këtë ligj do të vlerësohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; si dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Rivlerësimi do të përfshijë tre drejtime: vlerësimin e pasurisë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional. Frika që kanë gjyqtarët dhe prokurorët është se në procesin e vlerësimit barra e provës i takon subjektit që rivlerësohet —pra ai paramendohet fajtor për çdo dyshim dhe duhet të provojë vetë të kundërtën—në ndryshim, nga parimi i paramendimit të fajësisë që zbatohet për çdo qytetar.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurtë, liderët e partive politike shqiptare në qeveri dhe opozitë po rrezikojnë shumë kapital politik me qëndrimet e tyre shtinjake për reformën në sistemin e drejtësisë që shihet si leva e vetme për të forcuar një dobësi strukturore të marrëdhënies së qytetarëve me shtetin: besimin. Dhënia e vendimeve të drejta, transparente dhe të pakontestueshme të Gjykatave dhe dhënia fund e pabarazisë përpara ligjit do të çlironte një forcë morale që do të ekuilibronte shtetin dhe qytetarin.

