Vettingu, Unioni i Gjyqtarëve depoziton kundërshtitë në Kushtetuese
Unioni i Gjyqtarëve ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kundërshtitë për ligjin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur ndryshe edhe si vettingu.
Sipas Unionit, në këtë ligj janë anashkaluar piketat orientuese të sugjeruara nga Komisioni i Venecias.
“Jemi pro reformave dhe nënshtrimit të proçesit të rivlerësimit. Por nuk mund të lejojmë që pushtetet e tjera të nëpërkëmbin dinjitetin e gjyqësorit.Janë anashkaluar piketat orientuese të sugjeruara nga Venecia”, thuhet në këtë qëndrim.
Në vlerësimin e Unionit të Gjyqtarëve, ligji i vettingut bie dukshëm ndesh me dispozitat kushtetuese.
“Cënohen një sërë parimesh kushtetuese.ligji njëkohësisht cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor.Procesi i vlerësimit të pasurisë nën kontrollin e një organi jo kushtetues. Vlerësimi i pasurisë nën kontrollin e një organi jo të ndërtuar për këtë qëllim si ILDKPKI”, shton gjithashtu ky Union.
Në dhjetor pritet të mbërrijë opinioni i Venecias për vettingun.

