VIDEO/ E sëmura me kancer revoltohet para Vlahutin e Nikollës: Nuk kemi kohë të bëjmë show me jetën
Tetori konsiderohet si muaji rozë, sepse është muaj ku të gjithë solidarizohemi me luftën kundër kancerit të gjirit.
Dy ditë më parë, në një aktivitet të organizuar në qytetin e Lezhë, kanë qenë të pranishme Ambasadorja e BE në vendin tonë Romana Vlahutin dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.
Nertila Marku, një grua e prekur me kancer të gjirit gjatë fjalës së saj para të pranishmeve, ka deklaruar se nuk duhet bërë show por sensibilizim në luftën kundër kësaj sëmundje.
Marku ka nxjerrë nga xhepi një ilaç që ajo blen çdo muaj, dhe ka kërkuar politika favorizuese për gratë e prekura me këtë sëmundje.
Gjithashtu ajo ka kërkuar nga Nikolla që 9 femrave të prekura me kancerin e gjirit tu paguhet shkolla.
“Troç në sy ju nxora ilaçin me fakte. Që e marr 108 mijë lekë në muaj dhe ta japin pa faturë e mezi e gjej”,-shprehet ajo për dritare.net.
“Ato duhet ta kuptojnë, ne nuk kemi kohë të bëjmë show me jetën”,-vijon më tej ajo.
“I kërkova në mënyrë simbolike nga vetja të përjashtojë minimalisht 9 vajza ose gra të sëmura nga tarifa e studimit këtë vit sepse i thashë (duke nxjerrë ilaçin nga xhepi),sepse është e turpshme (në sensin e gjendjes ekonomike të Shqipërisë) të kesh nevojë për këtë ilaç që kushton 108 gjejë.”- shprehet më tej Nertila në reagimin e saj për dritare.net.
Në fund të reagimit të saj në Lezhë, Marku kishte edhe një apel për gratë e politikës:
“Dhe gratë shqiptare mua më duken të ndërgjegjësuara. Ju gratë e politikës ndërgjegjësoni burrat e politikës që të vjedhin sa më pak”.

