Viktimat e rreme të Aleppo-s, në Egjipt zbulohet skena e improvizuar e fotografive
Ajo kishte çdo detaj të mundshëm për t’u kthyer në fenomenin viral të radhës në rrjetet sociale. 12-vjeçare, e përgjakur dhe me një lodër pellushi në dorë, vajza do të kthehej në imazhin e masakrave të Aleppo-s.
I vetmi problem, është se ajo nuk gjendej fare në Siri, e aq më pak në qytetin e rrënuar nga lufta. Policia egjiptiane ka arrestuar një fotograf, i cili krijonte imazhe false të fëmijëve dhe civilëve, sikur ata gjendeshin në Aleppo. Gjatë operacionit, ata bllokuan skenën e improvizuar (rrënoja dhe pluhur), si edhe gjetën një vajzë 12-vjeçare të lyer me bojë të kuqe, e cila pozonte përpara aparatit.
Nëna e vajzës ishte gjithashtu pjesëmarrëse në sesionin fotografik. Ajo, madje tha se po e bënte për të mbështetur Aleppo-n. Pamjet do të përdoreshin më pas si mjet propagande në rrjetet sociale.

