Viktor Tushaj: Çfarë duhet të presim më? Droga dhe krimi…
Çështja Habilaj-Tahiri, ka shkaktuar një debat të madh politik. Deputeti i LSI-së, Viktor Tushaj, përmes një postimi në facebook, shkruan se Kryeministri Rama është pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe krimit të organizuar.
”Ç’po të shohin sytë e ç’po të dëgjojnë veshët o popull! Kryebandi Edi Rama, pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës e krimit të organizuar ministri i tij famshëm dhe më i sukseseshmi Saimir Tahiri, ministrat e tjerë të përfolur dhe akuzuar për korrupsion galopant. Po çfarë duhet të presim më? Kush mund të besojë më në këtë qeveri dhe këtë kryministër?”,-shton deputeti i LSI-së
Duke e përshkruar situatën të rëndë, Tushaj shton edhe se: ”I lodhur e i stërmunduar në pritjen tënde o popull, për më shumë qetësi e siguri, për më shumë punë dhe të ardhura për familjet tuaja, për fëmijët tuaj përballesh sot e çdo ditë me lajme të kobshme, vrasje, vjedhje, aksidente e përdhunime. Lajme të mbushura me krime e kriminelë, me lidhjet e tyre me kryeministrin e ministra, me foto ordinere duke mastikuar gjellën e ndyrë të drogës e krimit, të bëjnë që minimalisht të ndjesh keqardhje për atdheun tënd”.
Ai ka hedhur akuza se kur opinioni publik tronditet nga kjo ngjarje, qeveria bën show qytet më qytet. ”Edhe sikur Republika e Kinës me miliarda banorë të kishte kaq shumë ngjarje do të tronditej opinioni publik dhe akoma më shumë qeveria ndërsa kjo e jona e famshmja qeveri, bën show nga qyteti në qytet”.

