Vizita e presidentit Nishani në Turqi, gazetarja shqiptare merr vëmendjen e Erdogan dhe mediave turke
Ditën e djeshme presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani ka vizituar Turqinë. Gjatë kësaj vizite ai zhvilloi një takim të rëndësishëm me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, nga ku edhe u kryen bisedime dypalëshe në prani të delegacioneve respektive. Por një ngjarje mjaft interesante dhe e shumë komentuar nga mediat turke ka ndodhur në konferencën për shtyp të dy liderëve. Gazetarja shqiptare, Jonela Sakajeva i ka drejtuar një pyetje shumë me vend presidentit turk.
“Çfarë ndikimi kanë shqiptarët e Turqisë në jetën politike dhe ekonomike në këtë vend?”. Kjo pyetje që Sakajeva i ka drejtuar presidentit Erdogan, duket se e ka “ngacmuar” atë për të sqaruar me detaje ndikimin e shqiptarëve në jetën politiko-ekonomiko të Turqisë, por edhe tek vetë ai.
Madje nga videot që po qarkullojnë në internet, shihet haptaz që gazetarja Jonela Sakajeva ka bërë të ndjehet krenar edhe presidentin tonë, Bujar Nishani, të cilit në momentin e pyetjes i lexohej një buzëqeshje krenarie në portret. Pas pyetjes së parë Sakajeva i është drejtuar përsëri presidentit turk, duke i thënë që, “Gjyshi im ka rënë dëshmor në Canakala. Ka qenë komandant toge”, koment pas të cilit Erdoğan tha: “Zoti i dhëntë paqe shpirtit të tij” dhe duartrokiti gazetaren bashkë me gjithë të pranishmit në konferencë.
Gazetat e mëdha turke: “Hürriyet”, “Sabah”, “Akşam” e kanë botuar reagimin e Sakajevës në Ankara me titullin: “Duartrokitje për gazetaren, mbesë dëshmori në Canakale”… lufta e Canakale vendosi themelet e Turqisë moderne.
Përkthimi i shkrimeve në gazetat turke:
“Në konferencë për shtyp, pyetjes së gazetares shqiptare, Jonela Sakajeva, rreth gjendjes së bashkëatdhetarëve me rrënjë shqiptare në Turqi, presidenti Erdoğan iu përgjigj: “Në lagjen ku u linda dhe rrita kam pasur shumë fqinj shqiptarë. U rritëm së bashku. Madje në duart e një gruaje shqiptare të cilën e thërrisnim motër Suat, shpirti iu preht në paqe, ka kaluar një pjesë e rritjes time. Pra aq shumë ishim të integruar me njëri-tjetrin. Nuk kemi kurrfarë shqetësimi bashkë, jemi mjaft mirë. Falë tyre në këtë vend, ata kurrë nuk janë bërë arsye përçarjeje.


(A. Gjergji)

