Vrasja e grabitësit në Fier, Rama: Policët heronj
Kryeministri Edi Rama i vlerësoi si heronj 5 efektivët e policisë që shmangën grabitjen në Fier pak ditë më parë, ndërsa shkëmbyen plumba me grabitësit, duke lënë të vrarë një prej tyre, ndërsa një tjetër u plagos. Gjatë takimit me Policinë e Shtetit në Kryeministri, Rama tha se 5 efektivët ishin shpresa e fundit e çifti të moshuar.
“Sot shpreh jo vetëm në emër të qeverisë, por edhe të shumë njerëzve të zakonshëm, admirimin dhe mirënjohjen për 5 prej jush që e përmbushën detyrën me nder edhe pse grabitësit lëshuan mbi ta plumba. Ju ishit shpresa e fundit dhe mbrojtja e një çifti të moshuar bashkëshortësh. Po kjo patrullë rreth një muaj ndoqi me shpejtësi të lartë dhe arrestoi grabitësin e armatosur që i mori jetën një qytetari. Çdo ditë dhe çdo natë policët zhvillojnë një betejë të pabarabartë me kriminelët, pasi janë ata që vendosin vendin dhe kohën e përballjes. Dhënia e medaljes së mirënjohjes për disa prej jush është një gjest modest. Bëhet fjalë për kryefamiljarë që janë gati të vetmohohen për njerëz të zakonshëm të këtij vendi”, tha Kryeministri Rama.

