Erion Braçe sfidon PS-në për Reformën Territoriale: Vota kundër dhe sanksionet nuk më trembin
Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka sqaruar edhe njëherë tjetër qëndrimin e tij për Reformën Territoriale. Braçe thekson se nuk është kundër reformës së pushtetit vendor, por kërkon që ajo të jetë një reformë për mirëqeverisje dhe të mbështetet në parime e kritere të barabarta, jo vetëm në ndryshimin e hartës.
Kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla deklaroi se vendimi politik i grupit është vota pro për reformën e re territoriale, por deputeti Braçe sfidoi paralajmërimet për sanksione duke refuzuar të trembet nga mundësia e përjashtimit.
”Për të bërë gjënë e duhur, nuk e kam fare problem as votën kundër dhe as sanksionet e saj si kërcënim. Fare! Sepse është përgjegjësia jonë të bëjmë gjënë e duhur, vërtet, jo të bëjmë sikur; të mbështetemi mbi parime dhe të sjellim një reformë që përmirëson qeverisjen në këtë nivel”,-shkruan Balla.
Postimi i plotë
PËR HARTËN TERRITORIALE, MBLEDHJEN E GRUPIT, ARGUMENTAT, QËNDRIMIN TIM TË MBËSHTETUR NË PARIME, VOTËN KUNDËR DJE DHE SANKSIONET SI KËRCËNIM!
Ju detyrohem një sqarim të qartë për atë që ndodhi dje, duke i dhënë fund spekulimeve dhe keqpërdorimit. Dëgjojeni videon dhe do ta keni të qartë qëndrimin tim për reformën e pushtetit vendor. Unë nuk e shmang dhe as e refuzoj reformën. Ajo është një nevojë. Por duhet të jetë reformë për mirëqeverisje, jo thjesht vizatim i një harte.
Mbështetur në parime dhe kritere të barabarta, të zbatuara në të gjithë territorin e Republikës, reforma mbahet dhe bëhet e qëndrueshme nga parimet, jo nga votat. Tirana dhe modeli i saj i zhvillimit duhet të jenë thelbi i reformës së pushtetit vendor – nxjerrja e Tiranës nga cikli i varësisë së thellë nga ndërtimi dhe nga financimi i funksioneve dhe shërbimeve vetëm prej tij.
Është koha që Qeveria t’i japë jetë decentralizimit dhe autonomisë në territor, të mendojë dhe të bëjë transferimin më të madh të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve e taksave dhe buxheteve te pushteti vendor. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, që nga momenti kur këto parime u vendosën në Kushtetutë. Përqendrimi i pushtetit në vetëm dy pole nuk është i mirë për të gjithë, duke nisur nga qytetarët. Duhet të thyhet tani, për të deleguar, veçanërisht, fuqinë e shërbimit deri te hallka më e fundit e kontaktit me qytetarin.
Kështu ndërtohet një hartë për reformë. Si hartë, ajo është e përkohshme, e paqëndrueshme dhe e pamjaftueshme. Nuk është ajo që na kërkohet dhe që na duhet për të qeverisur mirë dhe për të përmirësuar qeverisjen.
Për të bërë gjënë e duhur, nuk e kam fare problem as votën kundër dhe as sanksionet e saj si kërcënim. Fare! Sepse është përgjegjësia jonë të bëjmë gjënë e duhur, vërtet, jo të bëjmë sikur; të mbështetemi mbi parime dhe të sjellim një reformë që përmirëson qeverisjen në këtë nivel.

