Vrasja e policit, presidenti Begaj kërkon reagim nga ndërkombëtarët: Cënim i rëndë i Kosovës
Presidenti Bajram Begaj dënon ashpër vrasjen e policit në veri të Kosovës. Ndërsa e cilësoi një cenim të rendit dhe sigurisë së Kosovës, Begaj kërkoi reagimin e partnerëve ndërkombëtare ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti të rëndës.
Deklaratë për shtyp e Presidentit të Republikës
Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.
Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.
Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.
Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.