Vrau gruan dhe vëllanë, por 80-vjeçari shokon në gjykatë: Nuk kam vrarë njeri!

Xhevit Sinani, 80-vjeçari nga fshati Tervol i Gramshit, është paraqitur sot në Gjykatën e Elbasanit, për të marrë masën e sigurisë nga trupi gjykues, për krimin e dyfishtë kryer në familje.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e së premtes, ku 80-vjeçari me sëpatën të cilën e përdorte për të prerë dru në oborrin e banesës së tij, ka vrarë bashkëshorten dhe vëllain e tij. Këta të fundit Zeqine 74 vjeç bashkëshortja, dhe vëllai Shaqir Sinani 72 vjeç kanë gjetur vdekjen. Në fillim ai ka vrarë gruan e tij, dhe më pas është drejtuar në banesën e vëllait me sopatë në dorë, duke e goditur edhe atë, i cili në atë moment ndodhej në oborrin e banesës së tij. Ky krim i rëndë, zanafilla e të cilit ende nuk dihet se nga ka ardhur, por hipotezat e hedhura janë të shumta, si shenjë depresioni, por edhe motive xhelozie, ka shokuar të gjithë fshatin e vogël dhe të largët të Gramshit. Familjarë, fqinj, të autorit dhe viktimave, edhe pse kanë kaluar tre ditë nga ngjarja vijojnë të mbeten të shokuar për atë që ka ndodhur në familjen Sinani. Vetë familjarët kanë pohuar në Polici, pasi janë marrë në pyetje se ende nuk e dinë arsyen që e çoi 80 vjeçarin të kryente këtë krim të dyfishtë, pasi sipas tyre ato nuk kishin vënë re asnjëherë ndonjë situatë debati mes tyre.

Por burime ende të konfirmuara zyrtarisht nga Policia bëjnë me dije, se për të marrë një dëshmi sa më të saktë, ekspertëve të krimit u është dashur që ta rimarrin disa herë në pyetje të moshuarin. Edhe pse përgjigjet e tij kanë qenë kontradiktore me njëra tjetrën, dyshohet se 80 vjeçari ka rrëfyer me copëza historinë se si ka vrarë vëllain e tij, e më pas ka shkuar nbë banesë ku edhe ka vrarë gruan. “Në fillim vrava vëllain i cili ndodhej në oborrin e banesë së tij, dhe më pas hyra në banesën time, dhe dhunova si fillim bashkëshorten, e mbyta me duar, dhe më pas e godita me sopatë. Gruaja vuajti shumë deri sa vdiq, ndërsa vëllai jo”, dyshohet se ka thënë në një nga dëshmitë e tij 80 vjeçari. Krimin sipas tij, ai u detyrua ta bënte se dyshonte se i vëllai i ngacmonte gruan e tij Zegjinenë. Sakaq për shkak edhe të moshës, ai vuan nga probleme të shëndetit mendor, pasi prej kohësh kurohej edhe në ambulancën e fshatit.

Por si është paraqitur 80-vjeçari sot në gjykatë, para trupit gjykues. Ai është shoqëruar nga togat e zeza, në pamje të parë ka qenë i qetë dhe me pranga në duar. Për shkak të pamundësisë për të pasur një avokat, ai do të mbrohet nga avokati i përcaktuar nga gjykata.

Gjatë marrjen në pyetje nga trupi gjykues rreth vrasjes së dyfishtë, 80 vjeçari ka deklaruar se nuk ka vrarë njeri. Ai tha se kur kishte qenë në banesën e të vëllait e kishte parë këtë të fundit përtokë të vdekur dhe më pas kur kishte shkuar në banesën e tij kishte parë të pajetë bashkëshorten e tij.
“Vëllai kishte përdorur një ilaç në vesh, me pas kishte dale në oborr dhe ishte rrezuar, ishte vrarë. E mbulova vellane dhe ika te gruaja. Edhe gruaja ishte e vrarë.”, tha ai.
Pyetje: Ti ke vrarë njeri?
Xheviti Sinani: Jo s’kam vrarë njeri.
Sipas avokatit të caktuar kryesisht nga gjykata, 80-vjeçari ka probleme të qarta të shëndetit mendor dhe do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore. Tashmë për të moshuarin është caktuar masa e arrestit me burg.

Miranda Sadiku

SHKARKO APP