Vr*u gruan dhe fshehu trupin, shqiptari: Isha i tërbuar, i kërkoj ndjesë fëmijëve
Në Greqi është zhvilluar sot seanca e radhës gjyqësore ndaj shqiptarit Kastriot Cenko, i akuzuar për vrasjen e gruas dy vite më parë, krim që tronditi opinionin publik për shkak të mënyrës së rëndë të kryerjes dhe fshehjes së trupit në papafingo. I pandehuri ka mohuar akuzën për vrasje me paramendim, duke pretenduar se veproi në gjendje të rënduar emocionale. Ai u shpreh se nuk ishte në gjendje të qetë mendore dhe se ngjarja ndodhi në mënyrë të papritur. Në të njëjtën kohë, Cenko kërkoi falje publike ndaj fëmijëve dhe familjes së viktimës për pasojat tragjike të ngjarjes.
”Dua t’u kërkoj falje të thellë fëmijëve të mi që i ndava nga nëna e tyre dhe familjes së saj”,-deklaroi ai para trupit gjykues. Në sallën e gjyqit dëshmoi edhe nëna e viktimës, e cila përshkroi vështirësitë që vajza e saj përjetonte në martesë. Sipas saj, e bija punonte në disa vende pune për të mbajtur familjen, pasi bashkëshorti nuk kontribuonte financiarisht.
Ajo rrëfeu gjithashtu momentet e fundit para se të mësonte për zhdukjen e vajzës, duke treguar se ishte kontaktuar nga dhëndri, i cili kishte pretenduar se gruaja ishte larguar nga shtëpia. Mes emocionesh të forta, nëna e viktimës tha se asgjë nuk mund ta rikthejë vajzën e saj, duke shtuar se ajo nuk kishte shprehur ndonjëherë dëshirë për të braktisur familjen, pavarësisht vështirësive që përjetonte. Seanca e radhës e gjyqit pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm.
KOHA JONË SONDAZH

