Zbardhen emrat e 4 komandove shqiptarë që dezertuan në Angli
Zbardhen emrat e katër ushtarëve shqiptarë që dezertuan në Londër. Ata janë Reni Ajazi, Ylber Tokrri, Aleksander Shkulaku dhe Klevis Lamkaj.
Arratisja e katër ushtarakëve shqiptarë nga trajnimi ushtarak në një bazë në Angli, ka bërë që prokuroria e Tiranës të nisë hetimet për akuzën e “Mosparaqitjes në repart”.
Hetimet kanë nisur nga seksioni ushtarak në prokurorinë e kryeqytetit. Kallëzimi është depozituar nga Policia Ushtarake, që është në varësi të ministrisë së Mbrojtjes.
Prokuroria thotë se nga fillimi i tetorit deri në mesin e nëntorit 2017 janë depozituar nga policia ushtarake 16 kallëzime penale kundër efektivë të ushtrisë që kanë vendosur të thyejnë betimin dhe mos paraqiten në repart.
Ja sa burg rrezikojnë 4 komandot shqiptarë që dezertuan në Londër
Katër komandot shqiptarë që dezertuan duke mos u kthyer nga trajnimi në Londër rrezikojnë deri në 5 vite burg, bazuar te Kodi Penal Ushtarak. Në nenin 33 të Kodit, theksohet se shmangia nga shërbimi ushtarak ose dezertimi dënohet deri 5 vite burg.
Kodi Penal Ushtarak
SHMANGIA NGA SHERBIMI USHTARAK
Neni 33
Dezertimi Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit, i ushtarëve dhe nënoficerëve, me qëllim shmangie përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet.
Ministria e Mbrojtjes: Çështja e dezertorëve në hetim
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit të dezertimit të 4 komandove shqiptarë në Londër. Ministria deklaron se 4 ushtarët që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.
Ndaj tyre është depozituar kallëzimi penal për dezertim, ndërsa prej disa javësh, çështja është në hetim. “Lidhur me lajmin e publikuar në media pasditen e sotme, zyra e shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes bën me dije se: 4 efektivë ushtarake, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.
Sipas “Kodit Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatese” deklaron ministria.

