Zbardhet krimi në Kavajë, “Pasagjeri” i preu fytin taksistit dhe e hodhi në shkurre
Mesa duket, e kishte menduar deri në detaje planin 24 vjeçari i cili rrëmbeu, vrau dhe grabiti taksistin në Kavajë. Musa Saraçi në datën 14, kishte udhëtuar nga Gosa për në Kavajë, i pajisur me thikë, ndërsa më pas prenotoi taksistin, të cilin duket se e njihte më parë.
Pasi mori taksinë e prenotuar pranë sheshit të spitalit të Kavajës, autori i ulur në sediljen e parë të makinës, e drejtoi shoferin për të lëvizur në drejtim të fshatit Greth të Njësisë Kryevidh, pasi është një zonë jo shumë e populluar.
Pasi hyri në fshat, i riu e kërcënoi për sendet personale dhe paratë dhe hasi në rezistencën e tij.
Autori e goditi 8 herë në fyt dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa për të humbur gjurmët, trupin e ka hedhur në disa shkurre.
Pas vrasjes së Idriz Karriqit, i riu i ka hequr targat makinës dhe është drejtuar për në varrezat e automjeteve, duke e shitur për 27 mijë lekë.

