Zbardhet vrasja misterioze, 41-vjeçari merr hakun e gjyshit pas 49 vjetësh

Një vit pas vrasjes misterioze të Shefo Duraj, me profesion teknolog në uzinën e naftës në Ballsh, policia ka vënë në pranga autorin. Ai është Feti Yzeiraj, 41-vjeç, banues në fshatin Aranitas të Mallakastrës. Prokuroria e Fierit lëshoi urdhër ndalimi ndaj 41-vjeçarit për veprën penale vrasje me dashje. Pas 49 vitesh, familja Yzeriaj mori hakun e gjyshit. Motivi i vrasjes rezulton ai për të cilin u dyshua që në momentet e para kur u zhduk 57-vjeçari Duraj, hakëmarrja. Një vrasje e vjetër, ku babai i Shefo Duraj vrau gjyshin e të arrestuarit Feti Yzeiraj. Ngjarja ndodhi në vitin 1968 në fshatin Kalenjë, ku nuk pati të dënuar. Ajo që tradhtoi 41-vjeçarin, është celulari dhe karta telefonike e viktimës, që pas vrasjes në 2016 e deri më sot, Feti Yzeiraj e ka mbajtur dhe përdorur vetë. “Në cilësinë e provës materiale, Yzeirajt i është gjetur celulari i viktimës. Ka dyshime të arsyeshme se Feti Yzeiraj, është autor i veprës penale të “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i K.Penal”,-thuhet në dosjen e prokurorisë.

Hasmëria

Një vrasje e vjetër për të cilën nuk pati ndëshkim të autorit. Babai i Shefo Duraj ka vrarë gjyshin e të arrestuarit Feti Yzeiraj. Ngjarja është e vitit 1968 në fshatin Kalenjë. Babai i Durajt vrau me goditje lopate në kokë gjyshin nga nëna të 41-vjeçarit Feti Yzeiraj. Autori në atë kohë punonte roje dhe shpjegoi përpara autoriteteve se viktima tentoi të hynte për të vjedhur në një nga depot e kooperativës. Në këto kushte ai nuk u dënua me burgim. Mungesa e ndëshkimit dhe përbaltja që iu bë viktimës nga autori pasi e vrau atë, ka mbetur një histori që kujtohet ende sot në Kalenjë. Kjo duket se e ka thelluar hasmërinë mes dy fiseve duke çuar në vrasjen e një viti më parë. Yzeiraj mendohet se e vrau hasmin e tij me sëpatë në 16 nëntor, ndërsa për dy javë familjarët kishin humbur çdo gjurmë të 57-vjeçarit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Zbulimi

Swiss Digital Mobile Reklama

Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti të gjejë autorin falë një telefoni celular të viktimës. Autori i dyshuar kishte marrë dhe përdorte një nga 2 celularët që kishte Duraj në kohën e vrasjes. Prokuoria arriti të konfirmojë dyshimin vetëm disa muaj më parë nëpërmjet imei-t të celularit të viktimës kur autori nisi ta përdorë atë. Në banesë, Yzeirajt i janë gjetur edhe dy sëpata dhe bidona me lëndë djegëse. Kujtojmë që trupi i 57-vjeçarit u gjet i djegur pjesërisht në një tentativë  të autorit për të humbur gjurmët. “Viktima Shefo Duraj në momentin e vrasjes dispononte dy aparate telefonike celularë, njëri prej të cilëve u gjet në vendin e ngjarjes, kurse aparati tjetër nuk u gjet. Nga hetimi rezultoi se aparati telefonik që dispononte viktima kishte numrin IMEI xxxxxxxx480. Sipas përgjigjes së shoqërisë telefonike xxxxx datë 04.10.2017, rezulton se aparati telefonik me këtë numër IMEI, si më lartë është regjistruar në emër të shtetasit Feti Baki Yzeiraj”,-thuhet në dosjen e prokurorisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?