Zëri i Amerikës: Mediat e mëdha në Shqipëri shkojnë pas interesave të pronarëve të tyre që kanë pazare me qeverinë
Këto ditë në Uashington u mbaj konferenca e 20-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, organizuar nga qeveria amerikane dhe ‘Transparency International’. Takimi mblodhi së bashku mbi 2 mijë përfaqësues nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, komuniteti i biznesit, e përfaqësues të qeverive anembanë globit. Drejtuesja e zyrës për Evropën Juglindore, e Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar, Fatjona Mejdini, tha se mesazhi kryesor i takimit ishte se Uashingtoni i qëndron angazhimeve të tij në luftën kundër korrupsionit. Duke u përqëndruar tek rajoni i Ballkanit, zonja Mejdini shtoi se zyrtarët amerikane e bënë të qartë, se do të vazhdojnë të përdorin mekanizmat e njohur, për të luftur fenomenin, që përfshijnë sanksione të reja, si nga ana e Departamentit amerikan të Thesarit, ashtu dhe nga Departamenti i Shtetit. Gjatë intervistës me gazetaren e Zërit të Amerikës Menada Zaimi, zonja Mejdini foli dhe mbi çështje të krimit të organizuar, si dhe mbi problematikat që hasin gazetarët, kryesisht ata investigativë në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Çfarë të reje solli kjo konferencë nga pikëpamja e krijimit të mekanizma më efikase për çrrënjosjen e korrupsionit?
Fatjona Mejdini: Më lejoni të falenderoj fillimisht Ambasadën Amerikane në Tiranë, po kështu Zyrën për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve në Departamentin amerikan të Shtetit, që më dhanë mundësinë për të ndjekur këtë konferencë dhe po ashtu për të paraqitur punën e organizatës që unë përfaqësoj, Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, si dhe punën që ne bëjmë mbi çështje të korrupsionit dhe monitorimit të fenomenit të korrupsionit në Evropën Juglindore. Për t’u kthyer tek pyetja juaj. Vetë fakti që kjo konferencë organizohej nga qeveria amerikane ishte një tregues i fortë që ajo i qëndron vendimeve të mëparshme, për ta pasur korrupsionin si një shtyllë, të rëndësishme të diplomacisë së saj, duke e përcaktuar sikurse e thatë dhe ju, një kërcënim për sigurinë kombëtare. Në këtë kuadër ajo që u theksua edhe gjatë ditëve të konferencës nga zyrtarë të lartë amerikanë që morën pjesë, duke përfshirë dhe sekretarin amerikan të Shtetit Anthony Blinken, ishte fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë, e para, të përdorin të gjitha mënyrat e tyre në dispozicion për të luftuar korrupsionin, dhe ato lidhen me mbështetjen, financimit të institucioneve të ndryshme, ligjzbatuese. Dhe nga ana tjetër, sanksionet. Ajo që kemi parë në këto vite sidomos, në dy tre vitet e fundit, ka patur rritje të madhe të sanksioneve ekonomike të vendosura nga Departamenti i Thesarit, si dhe një rritje të përcaktimeve publike si të padëshiruar për një sërë personazhesh në Shqipëri dhe Ballkan, nga Departamenti amerikan i Shtetit. Ajo që mund të them është që kjo do të vazhdojë dhe ky ishte një nga mesazhet më të qarta të konferencës.
Zëri i Amerikës: Është një fakt i njohur që Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin. Megjithë thirrjet ndërkombëtare që kultura e pandëshkueshmërisë të marrë fund, nuk duket se është bërë shumë në këtë drejtim. Shpesh krijohet përshtypja se nxitja për ta luftuar fenomenin, vjen më së shumti nga jashtë, nga SHBA-të apo Perëndimi, por duket se ngec brenda, në vend. Pse ndodh kjo?
Fatjona Mejdini: Duhet të kuptojmë se korrupsioni është një femomen shumë i përhapur në Shqipëri, ka qenë dhe do të vijojë të jetë i përhapur. Dhe lufta ndaj tij është e vështirë edhe për vende më të mëdha dhe jo më për një vend si Shqipëria. Dua të theksoj faktin se në deklaratën finale të konferencës, u theksuan përpjekjet e një institucioni që është financuar nga qeveria amerikane, siç është SPAKU, në luftën kundër korrupsionit, dhe aty u theksua fakti që ish-ministra e deputetë sot i gjejmë pas hekurave. Por nga ana tjetër e kuptoj shumë mirë pyetjen tuaj, sepse sigurisht që duke patur tre dekada tranzicion, zhvillime dhe korrupsion, duket se shqiptarët sot më shumë se kurrë kërkojnë efekte të menjëhershme. Kërkojnë që SPAK-u apo edhe institucionet e tjera ta vijojnë punën për mos ta ndalur ritmin, por ama për të shkuar edhe më lart, për të goditur edhe më lart kur vjen puna tek çështjet e korrupsionit, por edhe krimit të organizuar sepse ndonjëherë janë bashkë. Kjo ndodh për shkak se një institucion i vetëm nuk mund ta luftojë korrupsionin. Unë mendoj që duhet të jetë një përpjekje e të gjithë shoqërisë, duke nisur që nga edukimi për kulturën e integritetit. Shoqëria si një e tërë të mobilizohet në çështjet kundër korrupsionit. Mendoj që vetëm në këtë moment ne mund të flasim për rezultate reale.
Zëri i Amerikës: Autoritetet kanë pranuar se kohët e fundit po vihet re një përfshirje e shtetasve shqiptarë në veprimtari kriminale jashtë vendit, sidomos në trafikun e drogave, duke u aktivizuar në vendet e burimit, ato të Amerikës së Jugut, duke garantuar transportin e drogave drejt Evropës perëndimore. Një pjesë e mirë e parave që rrjedhin nga ky aktivitet kriminal po investohen në Shqipëri. Pse ka ndodhur kjo?
Fatjona Mejdini: Duhet të kuptojmë që ashtu si me korrupsionin, Shqipëria ka një histori të gjatë me krimin e organizuar. Fakti që Shqipëria shpesh ka prodhuar shpesh grupe kriminale të forta, ka qënë për shkak të kësaj simbioze që korrupsioni ka zhvilluar me krimin e organizuar. Zyrtarë të korruptuar merrnin para nga persona të inkriminuar dhe nga ana tjetër, të inkriminuarit ofronin mbështetje për ta në fushata elektorale. Kjo ka qenë një histori e njohur shqiptare. Ajo që ne po shikojmë në këto momente është fuqizimi i krimit të organizuar jashtë kësaj skeme, në një skemë më të madhe ndërkombëtare. Ju e përmendët, kemi Amerikën Latine ku shqiptarët janë prezent, kemi qytetet më të mëdha evropiane ku ata gjithashtu janë të pranishëm. Por kemi edhe destinacione si Emiratet e Bashkuara Arabe ku këto grupe janë gjithashtu prezent. Është shumë interesante në fakt se çfarë do të bëhet për këtë çështje. Unë mendoj që, sot çfarë i lidh këto grupe kriminale me Shqipërinë është ana ekonomike, pastrimi i parave, kullat e larta që ndërtohen në Tiranë apo hotelet luksoze në bregdet. Mendoj se qeveria shqiptare, institucionet duhet të jenë të kujdesshme, sepse këto para të pista në fakt nuk e zhvillojnë vendin, por e deformojnë komplet tregun dhe zhvillojnë një konkurencë të pandershme.
Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të bësh gazetari investigative në Shqipëri?
Fatjona Mejdini: Të bësh gazetari investigative nuk është e lehtë në asnjë vend, por në Shqipëri mund të themi se është edhe më e vështirë se në vendet e tjera.
Zëri i Amerikës: Pse?
Fatjona Mejdini: Është e vështirë sepse mediat e mëdha shkojnë pas interesave të politikës apo pronarëve dhe ka pak hapësirë për zërat e pavarur.