”Alimehmeti figurë e shquar për Tiranën”, Berisha për Braçen si kandidat: Në PS po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit
Partia Demokratike po hyn në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa gara për Bashkinë e Tiranës pritet të jetë një nga betejat më të rëndësishme politike të opozitës. Sali Berisha konfirmon se primaret do të vijojnë të jenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve. I pyetur nëse ka një vendim për heqjen e tyre, Berisha ishte i prerë: ”Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”.
Sipas tij, përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore kanë nisur tashmë, ndërsa hapja zyrtare e garës pritet të bëhet së shpejti. “PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm”, deklaroi Berisha, duke shtuar se puna për këtë proces ka vijuar edhe më herët.
Në fokus mbetet veçanërisht kandidatura për Bashkinë e Tiranës. Berisha nuk përjashtoi mundësinë e një kandidati që vjen jashtë strukturave tradicionale të partisë, duke lënë të kuptohet se ende nuk ka një vendim përfundimtar. “Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, u shpreh ai lidhur me kandidaturat.
Në lidhje me emrin e Ilir Alimehmetit, i cili është përmendur si një prej kandidatëve potencialë për Tiranën, Berisha u shpreh pozitivisht për figurën e tij, por nuk dha një konfirmim përfundimtar. ”Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme”, tha Berisha.
Zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe deklaratat e deputetit Erion Braçe për një kandidim të mundshëm për Bashkinë e Tiranës kanë tërhequr edhe vëmendjen e opozitës. Berisha e interpretoi debatin brenda PS-së si një përplasje mes grupeve të ndryshme politike. “Kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan”, deklaroi ai, duke komentuar situatën rreth kandidaturës socialiste për kryeqytetin.
KOHA JONË SONDAZH

