Zgjidhen tre përfaqësuesit e rinj në KLGJ, Sokol Sadushi: Të reagohet ndaj kërcënimeve që u bëhen gjyqtarëve

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve zgjedh sot tre përfaqësues të rinj në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Anëtarëve që u përfundon mandati në dhjetor janë dy gjyqtarë në radhët e Gjykatës së Shkallës së Parë, Marçela Shehu dhe Brikena Ukperaj dhe nga radhët e Apelit largohet Dritan Hallunaj.

Në garë për zëvendësimin e tyre janë 5 gjyqtarë, përkatësisht dy nga gjykatat e Apelit, Emona Muçi dhe Irida Kaçerja dhe 2 nga Shkallët e Para të Jurdiksionit të Përgjithshëm, Alma Kodraliu dhe Gentjana Muçaj, ndërsa Markeljan Koça vjen në garë nga Shkalla e Parë Administrative.

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ngriti zërin se duhet reaguar me forcë ndaj sulmeve të padrejta mbi gjyqtarët.

Fjala e plotë e Sokol Sadushit:

Mandati i parë i Këshillit të Lartë Gjyqësor është drejt përfundimit dhe natyrshëm secili bën një bilanc të objektivave të synuara dhe atyre të munguara, të arritjeve, vështirësive, mosrealizimeve, vlerësimeve, por edhe kritikave të shprehura e të nënkuptuara.
Vështirësitë kanë qenë të konsiderueshme, ashtu siç vijojnë të jenë të pranishme, ndonëse transformohen çdo ditë. Duhet ta pranojmë se, si çdo organ që krijohet rishtazi, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe, në veçanti anëtarëve të tij, u është dashur në 5 vite të përballen me sfida të panumërta. E nëse sistemi gjyqësor është duke funksionuar, krahas gjyqtarëve që mision kryesor kanë dhënien e drejtësisë, vlerësimi shkon edhe për këtë organ. Sot kemi gjykata funksionale të rioganizuara tërësisht, duke filluar nga Gjykata e Lartë, e plotësuar me trupën gjyqësore, si dhe gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë, që me gjithë vështirësitë në rritje, falë punës së përkushtuar të gjyqtarëve, po funksionojnë sipas kuadrit ligjor dhe hartës së re gjyqësore.
Sidoqoftë, përballë opinionit publik, të gjithë ne, si pjesë e sistemit gjyqësor, jemi përgjegjës, jo vetëm për punën tonë, por edhe për mënyrën e funksionimit dhe të administrimit të drejtësisë. Performanca e duhur e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe e anëtarëve të tij, si një organizëm i krijuar posaçërisht për të menaxhuar mirëfunksionimin administrativ të gjykatave, nuk i shërben vetëm këtij organi, por të gjithë sistemit të drejtësisë dhe më gjerë.
Dhe pikërisht sot, jemi mbledhur të gjithë gjyqtarët e Republikës për të zgjedhur 3 prej nesh si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Përderisa shumica e këtij organi është shprehje e vullnetit të trupës gjyqësore, nuk ka dyshim se edhe pavarësia e tij është e ndërvarur nga kandidatët që Ne përzgjedhim.
Rikonceptimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ i pavarur, me përbërje mikse dhe me garanci të forta kushtetuese është konsideruar si një nga produktet më të rëndësishme të reformës në drejtësi. Gjetjet, lidhur me mangësitë që i paraprinë kësaj reforme të thellë, ishin të lidhura më së shumti me mungesën e efiçencës së pararendësit të tij, ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me mënyrën e procedimit disiplinor, promovimit dhe ngritjes në detyrë, e në veçanti me mangësitë e theksuara në vlerësimin periodik të gjyqtarëve, gjë që ndikonte drejtpërdrejtë në mungesën e garancive për përparimin në karrierë të gjyqtarit, bazuar në meritë.
Sot, pas 5 viteve të funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe në prag të përfundimit të mandatit të parë, ndodhemi përpara situatës kur ndokush shtron pyetjet se, A i’a vlejti të bëhej ky reformim? A ia arritëm të kemi një organ që të bëjë diferencën me paraardhësin e vet?
Padyshim që për shumë arsye i’a vlejti, por këto pyetje apo dhe reagime të ndryshme i bëjnë qoftë kritikët e reformës në drejtësi, ashtu edhe përkrahësit e saj, kur evidentojnë fakte të tilla se:
– ka ende gjyqtarë në sistem, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim etiko profesional, megjithëse kanë më shumë se një dekadë në detyrë;
– 40 magjistratët e diplomuar këtë vit janë ende të pa emëruar, ndërkohë që sistemi ka nevojë emergjente për to;
– kancelarët e gjykatave janë të pakonfirmuar, për shkak të mosmbylljes së procedurës për vlerësimin profesional pranë Shkollës së Magjistraturës;
– gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, për shkak të konceptit se çdo shpenzim duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që një ndër kolonat e gjyqësorit të pavarur lidhet me vetadministrimin e buxhetit;
– trupa gjyqësore ndjen shqetësim për cenimin e standardeve të promovimit dhe ngritjes në detyrë mbi bazë merite, për shkak të mundësisë së një trajtimi të pabarabartë në pikëzim dhe në renditje, referuar diskrecionit të pakufizuar të anëtarit të Këshillit;
– mungon një platformë komunikimi efiçente, në të cilën adresohen në kohë reale shqetësimet e përditshme të trupës gjyqësore dhe që marrin zgjidhje nga Këshilli, pa i kanalizuar në procedura burokratike;
– kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit, etj, etj.
Me këto nevoja dhe shqetësime, apo edhe të tjera të ngjashme me to do të përballet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe veçanërisht anëtarët e rinjë, nga të cilët pritet zgjidhje.
Pavarësisht se problematikat që ka sistemi gjyqësor nuk janë përgjegjësi eksluzive e Këshillit të Lartë Gjyqësor, është dhe mbetet në përgjegjësinë e tij, si një ndër organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, për të adresuar me kurajo dhe me përgjegjshmëri kundrejt organeve të pushteteve të tjera, se gjykatat kanë nevoja emergjente në drejtim të:
– përmirësimit thelbësor të infrastrukturës gjyqësore, që të mos mbetet asnjë gjykatë në situata të mjerueshme, pa salla gjykimi dhe pa ambientet më normale të punës, me problematika serioze për mënyrën e administrimit dhe arkivimit të dosjeve, por edhe për çështjet e sigurisë;
– plotësimit me stafin e nevojshëm administrativ dhe mbështetës, në veçanti me ndihmës ligjorë, pa ngurruar edhe gjetjen e zgjidhjeve ligjore që motivojnë ngritjen e tyre në karrierë brenda sistemit, si një ndër rrugët më efikase për parandalimin e tendencës në rritje të backlogut;
– funksionimit të një programimi elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, që të jetë unik për të gjithë sistemin;
– digjitalizimit të të gjithë proceseve manuale, tejet të vjetëruara tashmë, për të shkuar në procesin e integruar dixhital gjyqësor nga fillimi deri në përfundim të tij.
Të gjithë Ne jemi të ndërgjegjshëm se gjatë mandatit të dytë, një Këshill i Lartë Gjyqësor i riformatuar do të duhet të përballet me pengesa edhe më të shumta për të arritur maksimumin e mundshëm, pasi këto nevoja nuk janë ngushtësisht dhe vetëm të gjyqtarëve, por ato ndikojnë drejtpërdrejtë në shërbimin që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe, për rrjedhojë, në besueshmërinë dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor.
Rikthimi i besimit tek sistemi i drejtësisë është dhe mbetet sfida thelbësore, jo vetëm e gjyqtarëve, por edhe e anëtarëve të Këshillit, që do të duhet të dëshmojnë nëpërmjet mënyrës së reagimit institucional dhe legjitimitetit të vendimmarrjes së tyre se sistemi i drejtësisë nuk shtrin dorën për lëmoshë tek ekzekutivi dhe legjislativi, por për t’u kërkuar atyre të përmbushin detyrimet kushtetuese e ligjore, në funksion të parimeve dhe vlerave, mbi të cilat vepron një shtet i së drejtës.
Më lejoni që si koleg i juaji, por edhe si drejtues i Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës t’iu drejtohem kandidatëve që do të zgjidhen anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor:

 Do të filloni të ushtroni një detyrë të re në një organ tjetër kushtetues që planifikon, koordinon, menaxhon, monitoron, ashtu si edhe raporton përpara Kuvendit, një detyrë krejt e ndryshme nga puna që bëni si gjyqtar brenda një salle gjykimi apo një dhome këshillimi;
 Ju që do të votoheni sot nevojitet të identifikoheni si karaktere të mirëformuara, kurajozë, të ndërgjegjshëm dhe me kapacitet intelektual të tillë, që të kuptoni në thelb rëndësinë e funksionit që do kryeni. Prandaj, presim që të mos e trajtoni pjesëmarrjen në Këshill si anëtarësi me kohë të pjesshme, por me kohë të plotë dhe as të bini pre e burokracisë administrative, nga e cila nuk janë imunë as gjyqtarët.
 Indiferenca, zvarritjet, mospërballja a mungesa e reagimit në kohë ndaj çështjeve sensitive për shkak të konformizmit ose interesit të çastit, apatia, demotivimi, e të tjera si këto, nuk duhet të asociohen në asnjë rast me Ju që do të zgjidheni;
 Merrni me seriozitet dhe ndjeshmëri çdo problem dhe vështirësi, me të cilat përballen qytetarët, kolegët tuaj dhe gjykatat, ku ata punojnë. Bëjeni këtë që ditën e parë të mandatit tuaj e deri në ditën e fundit. Ky do të jetë shpërblimi më i mirë që do t’i bëni sistemit të drejtësisë, por edhe kolegëve që ju besuan;
 Nuk duhet harruar asnjëherë se përpara çdokujt, janë gjyqtarët ata që njohin në thelb problemet e gjyqësorit; askush më mirë se gjyqtarët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin. Çdo njollë apo sulm të padrejtë ndaj gjyqtarëve duhet ta kuptoni si thirrje edhe për Ju, se diçka nuk është bërë si duhet.
 Përpiquni maksimalisht ta bëni edhe Ju sistemin gjyqësor të besueshëm, profesional dhe me integritet. Nëse e përmbushni ashtu siç duhet këtë funksion kushtetues që do ju jepet, nëpërmjet votës së kolegëve tuaj, jemi të bindur se kur të riktheheni në detyrën si gjyqtarë do të mund të thoni me krenari se kontribuat sa mundët dhe latë gjurmë me emrin dhe punën tuaj. Nëse e bëni këtë, keni realizuar dhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi. Nëse nuk arrini ta përmbushni detyrën që ju ngarkohet, kjo nuk është thjesht çështja juaj, sepse më e rëndë mbetet përgjegjësia jonë që nuk ditëm të bëjmë zgjedhjen e duhur.
 Prandaj, vlerësoni maksimalisht këtë besim që po ju japim sot nëpërmjet zgjedhjes tuaj.
I uroj suksese Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për të përzgjedhur ata që shpresojmë të na nderojnë!
Ju falëminderit.

SHKARKO APP