“Zhdukjet pa gjurmë” një mision nga OKB viziton Tiranën
Grupi i Punës i Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë ose Kundër Dëshirës do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri në datat 5-12 dhjetor.
Gjatë këtij misioni, ekspertët e OKB-së do të shqyrtojnë masat e miratuara nga shteti shqiptar për parandalimin dhe çrrënjosjen e zhdukjeve me forcë, duke përfshirë çështjet që lidhen me të vërtetën, drejtësinë dhe dëmshpërblimin e viktimave të zhdukjes me forcë.
Ky grup ekspertësh, i cili do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të qeverisë shqiptare, do të takohet me zyrtarë të lartë shtetërorë, me të afërm të personave të zhdukur, me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të agjencive përkatëse të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.
Grupi i Punës përfaqësohet nga Krye-Raportuesja e tij aktuale, znj. Houria Es-Slami, dhe nga z. Henrikas Mickevicius.
Në përfundim të vizitës së tij delegacioni i Grupit do të zhvillojë një konferencë për shtyp më 12 dhjetor, në ora 11:30, në Tirana International Hotel, Sheshi “Skënderbej” 8, në Tiranë.
Raporti përfundimtar për vizitën në Shqipëri do t’i paraqitet Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB, në shtator 2017.

