Zjarri në Librazhd, kryebashkiaku Disha dhe Çako inspektojnë nga afër operacionin në malin e Dardhës
Situata e krijuar nga zjarri në malin e Dardhës është ndjekur nga afër nga kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Gjatë inspektimit në terren u vlerësua ecuria e operacionit për izolimin dhe kontrollin e vatrave të zjarrit, si dhe angazhimi i strukturave të përfshira në përballimin e situatës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut Elbasan dhe Bashkinë Librazhd, po koordinon veprimet ndërinstitucionale dhe po mbështet ekipet operacionale me kapacitetet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
Kryebashkiaku Disha ka shprehur mirënjohjen për punonjësit e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, strukturat e mbrojtjes civile, Policinë e Shtetit, punonjësit e Bashkisë Librazhd, forcat e tjera të angazhuara dhe vullnetarët që po punojnë në terren për përballimin e zjarrit.
Postimi i plotë nga kryebashkiaku Disha
Sot, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, z. Haki Çako, ishim në malin e Dardhës për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga zjarri, ecurinë e operacionit dhe punën e strukturave të angazhuara në terren. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Prefekturën e Qarkut Elbasan dhe Bashkinë Librazhd, po koordinon veprimet ndërinstitucionale dhe po mbështet strukturat operacionale me kapacitetet e nevojshme për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.
Në situata të tilla, bashkëpunimi institucional dhe reagimi i koordinuar janë thelbësorë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe pasurisë sonë natyrore. Mirënjohje për punonjësit e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, strukturat e mbrojtjes civile, Policinë e Shtetit, punonjësit e Bashkisë Librazhd, forcat e tjera të angazhuara dhe çdo vullnetar që po punon pa u ndalur në terren.
Qeveria Shqiptare, përmes strukturave të sistemit të mbrojtjes civile, ka mobilizuar kapacitetet njerëzore dhe logjistike për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e komuniteteve të prekura. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë monitorimin dhe koordinimin e operacionit, duke qëndruar pranë strukturave vendore dhe qytetarëve deri në normalizimin e plotë të situatës. Librazhdi do ta kapërcejë edhe këtë sfidë me punë, bashkëpunim dhe përgjegjësi.
KOHA JONË SONDAZH

